Flash News

KRYESORE

Jo vetëm humbje në derbi, Tirana tani një rrezikon dënimin shembullor për banderolën

Pas humbjes në derbi, për Tiranën priten të tjera telashe. Kjo për shkak të banderolës që u shpalos në tribunë nga tifozët bardheblu në stadiumin “Selman Stermasi”. Aty janë vizatuar dy njerëz të varur në litar të cilët mbajnë në trup edhe logon e “ të kuqve”.

Mesazhi i urrejtjes që ajo përcjell u dënua nga shumë persona, të cilët janë kundër tensionit që ajo përcjell dhe përzierjen me lojën e futbollit, që duhet t’i bashkojë njerëzit. Pavarësisht rivalitetit mes të dyja klubeve, shpalosja e një banderole të tillë me fyerje ndaj tifozëve të kuq është e papranueshme.

Përgjegjësia bie mbi klubin organizator, delegatin e ndeshjes, dhe kompaninë që merret me ruajtjen e sigurimit. Të tria këto struktura duhet që të ishin treguar më të kujdesshme, e ta shmangnin një ngjarje të tillë. banderola nuk duhej lejuar të futej në stadium.

Tani situata për bardheblutë është e komplikuar. Si klubi organizator, për banderolën ata rrezikojnë minimalisht 4 ndeshje pa tifozë, ose gjobë referuar nenit 65 të Komisionit të Disiplinës.

Por shkeljet nuk mbarojnë këtu. Në nisje të takimit pati përleshje mes tifozerive dhe përgjegjësi mban klubi organizator. Gjithashtu u hodhën flakadanë dhe tymuese në fushë, si nga bardheblutë, ashtu edhe nga të kuqtë. Nisur nga shkeljet, për bardheblutë duket se do të ketë minimalisht 6 ndeshje pa tifozë dhe gjobë. Por ndëshkim mund të ketë edhe për Partizanin, për flakadanët e hedhur nga tifozët. I takon Komisionit të Disiplinës që të vendosë dënimin ndaj Tiranës dhe Partizanit.  Drejtori sportit i partizanit, Olsi Rama tha se klubi i tij mund të kishte kërkuar që të mos të niste takimit.

“Është vetëm një pakicë që bën këto akte të shëmtuara. Nuk e dija rregulloren, por më thanë që ne mund të kërkonim të mos fillonte ndeshja, pa u ulur banderola. Ishte një akt i rëndë, pasi ne duhet të nderojmë gjakun e atyre partizanëve që derdhën gjakun për lirinë e vendit.”, tha Rama pas sfidës.

Të fundit