Flash News

KRYESORE

Jovanoviç në Prishtinë: Serbët nuk e kuptojnë realitetin në Kosovë

Jovanoviç në Prishtinë: Serbët nuk e kuptojnë

Kryetari i partisë opozitare Partia Liberal Demokratike (LDP) në Serbi, Çedomir Jovanoviç në një debat të organizuar sot në Prishtinë për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), deklaroi se "shoqëria serbe e cila nuk është e aftë të kuptojë realitetin me Kosovën, duhet të transformohet dhe të udhëhiqet në një mënyrë më ndryshe", raporton Anadolu Agency (AA).

Në debatin me temë “Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues politik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias.

Politikani serb, Jovanoviç, tha se nuk ka vend për negociata ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse shoqëria serbe ka humbur shumë deri më tani madje edhe hapësirën për të manovruar.

"Mendoj se ne, në radhë të parë duhet të kemi parasysh idenë e paqes, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe aftësisë që në një mënyrë ndryshe t’i zgjidhim problemet tona. Shpresoj se kjo mënyrë do të vjen në shprehje gjatë bisedimeve që ndodhen para nesh. Edhe pse nuk ka mbetur shumë për t’u biseduar më, sepse ajo që ka ndodhur deri tani sipas meje është një pako definitive dhe unë vërtetë nuk e di në çfarë mënyre Serbia do ta ketë më mirë, derisa vazhdon të injorojë faktin që Kosova sot është një shtet absolutisht i pavarur nga Serbia”, tha Jovanoviç.

Ai potencoi se ka mbështetur marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe dialogun që po udhëhiqet tani. Duke shprehur shqetësimin se shoqëria serbe e cila nuk është e aftë të kuptojë realitetin me Kosovën, Jovanoviç tha se shoqëria duhet të transformohet dhe të udhëhiqet në një mënyrë më ndryshe. Ai shtoi se nuk beson në marrëveshjet pas të cilave qëndrojnë individët.

"Mënyra se si do të përballemi me të vërtetën e Kosovës duhet të ndodhë pas transformimit brenda shoqërisë sonë. Natyrisht, po flas për shoqërinë time dhe proceset që janë të nevojshme këtu në Prishtinë, por kjo nuk është shqetësimi im dhe puna ime. Unë e kam fjalën për Beogradin, ku politika duhet të udhëhiqet në një mënyrë krejt ndryshe, sepse ajo është shumë kontradiktore", tha Jovanoviç.

Të fundit