Flash News

KRYESORE

Ka bojkotuar mediat shqiptare, Fatmir Xhafaj mesazh nga Holanda: Kemi goditur 9 grupe kriminale, 5 të tjera janë nën hetim

Ka bojkotuar mediat shqiptare, Fatmir Xhafaj mesazh nga Holanda: Kemi goditur 9

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj po bojkoton mediat vendase që pas shpërthimit të skandalit të vëllait të tij, Agron Xhafaj. Pavarësisht interesit të gazetarëve për të marrë një reagim prej tij për zhvillimet e fundit, ministri ka refuzuar.

Aktualisht, Xhafaj ndodhet në Holandë së bashku me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku kanë raportuar Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit të Holandës.

Në seancën dëgjimore, ministri ka përmendur operacionin “Forca e Ligjit” si një qasje ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar, duke shtuar se deri më tani janë identifikuar grupet kriminale, është bërë profilizimi i tyre, asetet dhe lidhjet e tyre.

Ndër rezultatet kryesore të arritura deri tani, Xhafaj përmendi goditjen e 9 grupeve të rrezikshme kriminale si dhe vijimin e hetimeve për 5 grupe të tjera kriminale, operacione këto të kryera edhe me bashkëpunimin e Europol-it dhe vendeve të tjera të BE-së. Hetimet dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta u konsideruan nga Ministri si jetike në luftën kundër krimit të organizuar, i cili vepron tej kufijve të një shteti.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Etila Gjonaj bëri me dije masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht masat në nivel politikash dhe ndryshimet ligjore si dhe rezultatet e deritanishme në  gjykimin e zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar për korrupsion.

Holanda vijon të jetë skeptike sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë. Politiko.al ka raportuar se Qeveria e drejtuar nga Mark Rutte është shprehur kundër hapjes së negociatave, ndërkohë që vendimi përfundimtar duhet të merret nga Parlamenti dhe pikërisht në këtë institucion është përqëndruar ‘aksioni’ i Tiranës.

Të fundit