Flash News

OP-ED

Ka një rast kur mbrojtja e Fatmir Xhafajt nuk është turp

Ka një rast kur mbrojtja e Fatmir Xhafajt nuk është turp

Fitim Zekthi

Ngjarjet e fundit, në qendër të të cilave është skandali i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbrojtja e dhunshme që po i bën atij kryeministri Edi Rama, treguan plagën e vërtetë të rëndë nga e cila vuan shoqëria jonë. Shoqëria shqiptare nuk vuan për shkak se kryeminsitri Rama qeveris keq, se ai ka thirrur në qeveri dhe në parlament njerëz që vijnë nga lidhje me krimin dhe trafiqet, se ka dhënë koncesione që rrisin borxhin publik, se ka zhytur në kolaps ekonominë etj. Shoqëria shqiptare nuk vuan për shkak se mazhoranca është jo demokratike, nëpërkëmb interesat e njerëzve dhe emëron ministra njerëz të dyshuar si mbrojtjës të trafikut.

Politika, për definicion, është ajo lloj veprimtarie, thotë Lasëell, që përcakton se kush merr, çfarë, ku dhe kur. Në një farë mënyre politika shpërndan pushtet, pra menaxhon interesa dhe kësisoj ajo ka prirjen e vazhdueshme të zgjerojë pushtetin e saj dhe të bëhet e rrezikshme. Sigurisht, kur thuhet se politika përcakton kush merr, çfarë, ku dhe kur, nuk do të thotë se ajo ndan plaçkë. Ajo përcakton (ndan sipas fuqisë që kanë aktorët) se sa ligjet do të jenë të majta apo të djathta, sa do të jetë një taksë, si do të trajtohet çështja e kthimit të pronës, e lirive fetare, e martesave gay, e pagës minimale etj. Politika degjeneron në ndarje plaçke kur mekanizmat e kontrollit pushojnë së qeni.

Në këtë kuptim ajo që bën Rama, Xhafa, Tahiri, apo ajo që bëhet me tenderët, konçesionet, etj  tregon se politika për mazhorancën ka degjeneruar në  ndarje të qartë plaçke dhe se mekanizmat e kontrollit janë zhdukur.

Mekanizmat më të fuqishëm të kontrollit në një demokraci janë mediat dhe bota universitare. Ndryshe nga politika që, për definicion, rreket të zgjerojë pushtet, të bëhet e padrejtë, të përdorë gënjeshtrën deri edhe krimin, media dhe bota universitare, për definicion, rreket të thotë të vërtetën, të mbrojë të drejtën, të ndjekë parimet dhe jo interesin e pushtetit. Për këtë arsye mediat në vendet demokratike janë në luftë me qeveritë, me krimin, me korrupsionin,  me politikën e keqe etj. Për këtë arsye bota universitare shkruan dhe flet kundër korrupsionit, kundër krimit, kundër atyre politikave dhe politikanëve që nuk kanë në qendër interesin e njerëzve, por interesin meskin.

Shqipëria ka vuajtur nga media dhe nga bota universitaren gjithë këto vite, por tani kriza e tyre është bërë lebetitëse, e padurushme. Ato janë bërë të neveritshme. Përgjatë 27 viteve pluralizëm media u ngrit përgjithësisht mbi rrënojat e medias së Enver Hoxhës, ajo në shumicë u drejtua prej njerëzve që vinin nga ajo kohë, prej gazetarësh zellmëdhenj ndaj komunizmit, prej ish bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit. Kjo media asnjëherë nuk  i tha të vërtetat e plota mbi komunizmin, mbi Enver Hoxhën, mbi krimet e tij, madje në shumë raste ka qenë edhe mbrojtëse. Kjo media, në masë, me përjashtim të viteve 1991-1992, u bë shpejt përkahëse e PS-së. Megjithatë, kjo media arriti të sigurojë një shkallë lirie, ajo ka dhënë  një kontribut të rëndësishëm në vite dhe ka qenë në një farë mënyre një lloj garancie edhe për mosrënien në tirani të sistemit politik.

Bota universitare, si edhe media, erdhi nga komunizmi, në shumicë profesorët ishin njerëz me ide enveriste që kishin mbrojtur punime (në shumicë) nisur nga ideologjia komuniste. Këto vite pluralizmi bota universitare nuk i bëri ansnjë monografi Enver Hoxhës ku të dëshmohej totalitarizmi dhe krimet, nuk i bëri asnjë monografi asaj që ishte komunizmi. Bota universitare mbeti një mbështetëse e historiografisë komuniste dhe e “arritjeve” të komunizmit, megjithatë brenda ka patur njerëz të rëndësishëm të cilët luftuan për pluralizmin dhe gjithë këto vite shërbyen sadopak në rolin e një garanti të sistemit politik.

Aktualisht, me ‘çështjen Xhafaj’ media, njerëzit që dominojnë redaksitë dhe opinionin, dëshmuan se edhe ajo pak media, sado e molepsur dhe mbështetëse e PS-së në masë, por që në momente kishte ruajtur një grimë dinjitet, nuk është asfare më.

‘Rasti Xhafaj’ përfshin disa fakte të trasha. Një përgjim publikohet nga PD-ja ku dëgjohet vëllai i ministrit Xhafaj të bisedojë për trafik droge me dikë që ka qenë më herët pjesëtar i grupit të tij. Kryeministri bërtet se është e falsifikuar, se është komplot i PD-së, se nuk është vëllai i ministrit që flet për trafik. Kryeministri përbetohet se ka bërë ekspertizë dhe se i ka dalë që vëllai i ministrit nuk është në përgjim dhe nuk flet për trafik droge. Të njëjtën gjë bën edhe ministri. Më pas ish pjesëtari i grupit të vëllait të ministrit jep intervistë dhe thotë se është ai që bisedon me vëllain e ministrit për të trafikuar drogë. Sërish kryeministri ulëret se është komplot, se nuk ka gjë të vërtetë, se vëllai i ministrit nuk është në këtë bisedë. Më pas del gazetari Jetmir Olldashi dhe thotë se investigimin e ka bërë ai, se biseda është bërë, se vëllai i ministrit po bisedonte për trafik. Ndërkohë vëllai i ministrit dërgohet me urgjencë në Itali për t’u paraqitur në polici, por edhe për t’u larguar nga hetimi.

Analistë të njohur, drejtues redaksish, gazetarë të ndryshëm u renditën në mbrojtje të ministrit Xhafaj. Ata denigruan dëshmitarin dhe gazetarin. Sulmuan PD-në. Disa thanë se Xhafaj tregoi se është në rregull, se Rama po bën gjënë e duhur etj. Një ngjarje e tillë nuk mund të ndodhë as në Tajlandë, as në Bolivi, as në Guatemalë. Nuk ekziton një vend, qoftë edhe gjysëm demokratik, madje as diktatorial, ku vëllai i ministrit të jetë duke biseduar me dikë për të trafikuar drogë dhe,  veç kryeministrit, ministrit të Brendshëm apo deputetëve, të vrapojnë analistë dhe gazetarë për ta mbrojtur. Në qoftë se vëllai i ministrit të Brendshëm në Meksikë do të ishte në përgjim si ‘rasti Xhafaj’, ministri do të qe larguar menjëherë dhe asnjë analist nuk do ta mbronte, në qoftë se vëllai i ministrit të Brendshëm në Panama apo Venezuelë, do të ishte në përgjim si ‘rasti Xhafaj,’ ministri do të ikte menjëherë dhe nuk do të gjendej analist apo opinionist apo intelektual ta mbronte.

Bota universitare në Shqipëri është kthyer (me pak fare përjashtime) në një trupë njerëzish oportunistë dhe as që mund të dalë të thotë se kjo që po ndodh me mbrojtjen e Xhafajt është e pamendueshme. Është e tepërt t’ia kërkosh asaj këtë gjë sot.

***

Në vitin 1953 Czeslav Milosz, një shkrimtar dhe filozof i njohur polak, shkroi librin “Mendja e robëruar” për të shpjeguar se pse intelektualë, opinionistë apo gazetarë të ndryshëm, mbronin regjimin komunist dhe stalinizmin. Milosz shkroi me hollësi se “detyrimi” dhe “lakmia personale” pati një rol të madh në transformimin e tyre ideologjik. Pra, gjasme ata u bënë stalinistë për shkak se ishin të detyruar ose u shtynë nga lakmia personale. Por Milosz vuri re se shumë prej tyre u bënë mbështetës të zellshëm të stalinizmit, jo thjesht për përfitime materiale (që i morën) dhe as se ishin të detyruar. Milosz tha se “dëshira e thellë e intelektualëve, analistëve, opinionistëve të tjetërsuar për t’u përkitur masave, për të qenë të pëlqyerit e masave, për të qenë të pëlqyerit e liderit, për të qenë njerëz të rëndësishëm të shoqërisë, ishte arsyeja bazë. Kënaqja e ambicjes personale, dëshira për përfitim material është vetëm shenja e jashtme dhe e dukshme e këtij përdorimi”.

Padyshim, që kjo mbrojtje e paimagjinueshme që i bëhet Xhafës nga analistët, opinionistët dhe drejtuesit e redaksive, ngërthen edhe përfitimin material, edhe “të qenit i detyruar”, por edhe ndjenjën qesharake se kësisoj janë në anën e atyre që populli i pëlqen, lideri i pëlqen, çështja i pëlqen. Shumë prej këtyre analistëve janë edhe narcisistë, njerëz që mendojnë se kanë fuqi intelektuale dhe se kjo që bëjnë i bën ata njerëz të rëndësishëm. Disa prej tyre mendojnë se po çojnë përpara një kauzë, se janë lojtarë të mëdhenj, se ata po bëjën politikë, se janë njerëz që vendosin për gjëra të mëdha.

Mirëpo vetëm kaq do të ishte i mangët si shpjegim. Ka edhe diçka tjetër që i shtyn njerëz të tillë t’iu shërbejnë stalinizmit apo nazizmit. Hanah Arendt është e para që përdori konceptin  “banaliteti i të  keqes” për të shpjeguar mbrojtjen e verbër të nazizmit apo totalitarizmave. Ajo, ndoqi në Jeruzalem, gjyqin e ndaj Adolf Eichman-it, numri tre në radhën e atyre që kishin rol drejtues në dërgimin e hebrejve në dhomat e gazit. Arendt vuri se Eichman ishte një njeri krejt normal, ndryshe nga sa e kishte menduar ajo si vrasës në masë që ishte. Ai përgjigjej serbes, mbronte veprimet e tij, mbronte atë që kishte ndodhur. Arendt tha se Eichman nuk mendonte, urdhërat kishin ardhur për të dhe ai as që i vinte fare në diskutim ato. Ai ishte thjesht një njeri që sillej si copë mishi, pa menduar fare. Për Arendt njerëz si ai janë ata që mbajnë në këmbë regjimet totalitare. Ata janë në gjendje të zbatojnë çfarëdo lloj urdhëri sepse ata nuk mendojnë mbi moralin apo drejtësinë e urdhrit. Ata nuk e kanë fare këtë ndjeshmëri. Ata janë hallka të domosdoshme në mbrojtje të këtyre regjimeve. Ky është banalitetei i të keqes dhe Eichman ishte personifikim i saj. Kjo gjë po ndodh edhe me mbrojtjen e Xhafajt nga analistët, opinionistët etj. Pra “dëshira e brendshme për të qenë i pëlqyer, për të qenë njëri me fuqi intelektuale e shfaqur së jashtmi si ambicje materiale dhe “detyrim” nga njëra, anë dhe të shërbyerit si hallka të domosdoshme në zinxhirin e banaliteteit të të keqes, është arsyeja pse Xhafaj mbrohet në një kohë kur roli i medias dhe intelektualëve është tjetër.

Ndërsa  të flasësh për deputetët që flasin në kor siç flet Rama është e kotë. Ata sigurisht që janë subjekt i banalitetit të së keqes. Secili prej tyre në regjimin e Enver Hoxhës (në mos e ka e bërë)  do zbatonte verëbrisht urdhërat për vrasje, tortura, internime dhe gjithçka. Parë nga ky kënd mbrojtja e Xhafajt nuk është turp, sepse turpi nuk është më një kategori gjykimi.

Të fundit