Flash News

KRYESORE

Kallëzimi në SPAK, Presidenca zbardh akuzat ndaj Gjonajt dhe dy zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë

Presidenca ka zbardhur kallëzimin penal që Ilir Meta ka dorëzuar sot në SPAK ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj bashkë me dy funksionarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, Gentian Deva me detyrë Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Etleva Haxhia, drejtoreshë e Qendrës së Botimeve Zyrtare, të cilët i akuzon për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për botimet zyrtare.

Gjonaj dhe dy zyrtarët e tjerë akuzohen për publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit për emërimin automatikisht si anëtare të Gjykatës Kushtetuese të Arta Vorpsit, në mënyrë të paligjshme.

Në shkresën publike të Presidencës theksohet se  ministrja Gjonaj me veprime aktive, ka orientuar të gjithë veprimtarinë e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qendrës së Botimeve Zyrtare duke lejuar botimin në Fletoren Zyrtare të një akti të pabotueshëm.

Duke qënë mirë në dijeni të detyrimeve dhe të drejtave dhe rolit të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë në raport me sistemin gjyqësor dhe sistemin e drejtësisë në tërësi, sipas ligjeve në fuqi:

– Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit”, i ndryshuar;

– Ligj nr. 8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funsionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar; dhe veçanërisht

– Ligji nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”;

ka shfrytëzuar pozitën e të paturit në varësi të Qendrës së Botimeve Zyrtare për të përcjellë dhe urdhëruar përmes akteve të falsifikuara, botimin e një akti të cilin mirë e dinte se nuk botohej sipas ligjit në fuqi dhe që ishte publikuar që në datën 22 shtator 2019 në faqen e intenertit të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, shkruhet në dokumentin e padisë.

Ndërsa për sekretarin e  Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë Gentian Deva, i cili akuzohet se i ka kërkuar Qendrës së Botimeve Zyrtare të botojë aktin e betimit të Arta Vorbsit tek noterja si anëtare e Gjykatës Kushtetuese thuhet:

Me veprimet dhe mosveprimet e tij zoti Gentian Deva me detyrë Sekretar i Përgjithshëm, ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Publikimi në Fletoren Zyrtare, i një akti të tillë, i cili ligjërisht nuk është i botueshëm, ka sjellë ndërkohë dhe dëmtim të interesave shtetërorë në disa dimensione.”

Presidenca ka kallëzuar edhe drejtoreshën e Qendrës së Botimeve Zyrtare Etleva Haxhia.

Në padi thuhet se Prokuroria duhet të zbardhë nëse zonja Haxhia ka komunikuar me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë, Ministren e Drejtësisë, apo ndonjë funksionar të lartë publik dhe nëse e kanë detyruar atë të dalë në punë ditën e shtunë, ditë pushimi zyrtar.

Më poshtë dokumenti i plotë i padisë

Të fundit