Flash News

KRYESORE

Kandidati për kreun e SPAK: Kam qenë 9 vjet i mbrojtur nga policia për kanosje, por do çrrënjos kulturën e pandëshkueshmërisë

Kandidati për kreun e SPAK: Kam qenë 9 vjet i mbrojtur nga policia

Altin Dumani, është kandidati i parë që është intervistuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kreun e SPAK.

I pyetur nga anëtarët e KLP, Dumani ka thënë se do të jetë i angazhuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit dhe se do do të çrrënjosë kulturën e pandëshkueshmërisë, pavarësisht fuqisë së personave nën hetim.

“SPAK do bëjë të mundur një Shqipëri ku godet këdo që kryen një krim, pavarësisht fuqisë, dhe e vetmja shpresë është mospërfshirja në krim. Do çrrënjosim kulturën e pandëshkueshmërisë”, tha Dumani.

I pyetur se si do të përthithë ekspertët më të mirë, si pjesë e kësaj strukture, Dumani u ndal te paga e mirë dhe motivuese.

“Prokuroria e Posaçme duhet të synojë punonjës të kualifikuar, por për këtë duhet joshje me paga. Nga kontakti me DAP është rënë dakord që duhet një mekanizëm financiar që të thithin ekspertët më të mirë të mundshëm. Na është premtuar se paga do jetë në niveli të kënaqshëm për kushtet e shtetit shqiptar.  Do mëshoj edhe për të gjetur ekspertë të motivuar për të kontribuar që kanë pasion për atë që bëjnë, duke sakrifikuar, të gjejmë këtë kategori punonjësish që nuk kanë parësore anën financiare. Besoj se ky vend ka njerëz të tillë. Do jem shumë kërkues në këtë drejtim”, tha Dumani.

Po ashtu, anëtarët e pyetën Dumanin edhe për pikat e tij të forta, apo të dobëta që ka si drejtues.

“Kam qenë 9 vjet i mbrojtur nga policia e shtetit, por kurrë nuk jam tërhequr dhe u kam shkuar deri në fund gjërave pavarësisht kostos, me kanë kanosur për shkak të detyrës është me vendim në tre shkallët e gjykimit. Të flasësh për pikat e dobëta, është pak e vështirë. Është menaxhimi i kohës se kur më kap grinta për të punuar fokusohem aq shumë sa harroj elementin kohë, mirë familja ime, por kam koleg, pasi për hir të çështjes privohen nga koha që ata duhet ti kushtojnë familjes, fëmijëve”, tha Dumani.

Të fundit