Flash News

KRYESORE

Kandidati që ftoi Bashën në skenë: Gjërat që arrita në jetë, me vendosmërinë e një shqiptari dhe guximin e një vlonjati

Agron Shehaj ka qenë një prej surprizave të Bashës në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit. Pak i njohur për publikun, edhe pse një biznesmen i suksesshëm me aktivitete në Shqipëri, Itali dhe Angli, Shehaj është ftuar nga kryetari i opozitës për t'u bërë pjesë e asaj që konsiderohet si 'Lista Basha'. Ai është vendosur i pari në qarkun e vështirë të Vlorës, ku nën siglën e PD garojnë gjithashtu Sekretari i Përgjitshëm Arben Ristani, si dhe aleatët Vangjel Dule dhe Dashamir Tahiri.

Në një fjalim të shkurtër dhe prekës, Shehaj ka folur për ikjen e tij nga Vlora në moshën 13 vjeçare dhe kthimin në atdhe si 'një thirrje e gjakut'. Pikërisht kandidatit të Vlorës i është rezervuar privilegji i të ftuarit të Bashës në podium për të mbajtur fjalimin e hapjes së fushatës elektorale.

Fjala e plotë e Agron Shehajt:

 Unë jam Agron Shehaj, një djalë Vlore.

Kam ikur nga qyteti im kur isha 13 vjeç; bashkë me prindërit dhe vëllanë. Si shumë vlonjatë e shqiptarë të tjerë, nëpër Adriatikun e trazuar. Drejt së panjohurës.

Sot jam këtu. Një 40 vjeçar që është shkolluar, ka punuar dhe i ka rrëmbyer mundësitë e jetës në Perëndim. Me vendosmërinë e një shqiptari dhe guximin e një vlonjati.

Ai gjak shqiptar më ka kthyer në vendin tim. Ajo zemër vlonjate më kthen në qytetin tim të lindjes.

Kthehem, sepse njeriu kthehet gjithmonë te vetja. Shkon drejt rrënjëve.

Historia ime, që nisi në detin e trazuar, në bordin e një anijeje që i largohej Shqipërisë së pashpresë së vitit '91, është histori mundimesh, por edhe suksesi.  

Biri i dy shqiptarëve, të papunë në vitin 1991, punëson sot me mijra bija e bij shqiptarësh të tjerë.

Nëse jeni duke bërë pyetjen 'Pse iu fute politikës, kur punët i ke në rregull?', e kam edhe përgjigjen:

Sepse mundësinë që unë e pata, dua ta shoh edhe në duart e të tjerëve.

Nuk jam sot këtu për politikën, dhe as për Parlamentin. Jam për shërbimin ndaj njerëzve dhe për ndryshimin e Vlorës dhe të Shqipërisë.

Unë jam Agron Shehaj. Jam ky që jam sot, edhe prej hapjes. Hapjes së perdes së lirisë në vitin 1991. Hapjes së Shqipërisë nëpërmjet futjes në NATO dhe liberalizimit të vizave.

Jam këtu edhe si shenjë e një tjetër hapjeje. Ftesës që kryetari i Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha, bëri ndaj shoqërisë. Akademikëve, të rinjve, të papërfaqësuarve, dhe sipërmarrësve si unë.

Me këtë hapje në sy dhe në mendje të shohim përpara.

Drejt fitores më 25 qershor.

Për Republikën e re!

Me Lulzim Bashën!

FITORE!

 

Të fundit