Flash News

KRYESORE

Kandidon në KLGJ, kush është gjyqtarja ‘kamikaze’ që favorizoi deputetin socialist

Gjykata e Lartë ka bërë publikë ditën e djeshme emrat e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas njoftimit, rezulton se kanë paraqitur interes për të kandiduar, dy gjyqtarë, Brikena Ukperaj, nga Gjykata e Apelit Vlorë, si dhe Luan Dervishi, nga Gjykata e Apelit Shkodër.

Pak ditë më parë, ishte pikërisht kjo gjyqtare, e cila u cilësua nga Partia Demokratike si ‘kamikazja’ e korruptuar e Ramës.

Ajo e kaloi me sukses vettingun, por u akuzua se ka favorizuar deputetin socialist, Fidel Ylli për pronat në Karaburun.

“Brikena Ukperaj, gjyqtarja e Apelit në Vlorë është një nga rastet kur vettingu ka vepruar me dy standarde, duke ligjëruar pasuri të pajustifikuara të gjyqtares Ukperaj.

Mos justifikimi dhe mungesa e një hetimi të thelluar nga organet e vettingut për një shtëpi në emër të bashkëshortit;

Problemet për blerjen e një automjeti, për të cilin organet e vettingut nuk hetuan me vëmendje, si dhe

Mosverifikimi i plotë i ankimit të familjes Bodo kundër vendimit të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun, që favorizoi deputetin socialist Fidel Ylli;

Këto janë tre pikat e errëta të vendimit të organeve të vettingut, që po mban në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të korruptuar.

Arsyeja përse Brikena Ukperaj ka kaluar shkallën e parë të vettingut, pavarësisht problemeve me pasurinë dhe vendimit për aferën e 200 hektarëve në Karaburun, shpjegohet me skemën e Edi Ramës për të kontrolluar Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Që skema e Ramës për kapjen e qeverisë së gjyqësorit të realizohet, gjyqtarja e Apelit të Vlorës duhet të shpallë kandidaturën për në KLGJ.

Brikena Ukperaj është person kyç në skemën e Edi Ramës, dhe po nxitet prej tij të aplikojë për ta zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhej në njoftimin e PD, pak ditë më parë.

Të fundit