Flash News

KRYESORE

Kaos në drejtësi/ KLD braktis detyrën, por jo pagat dhe privilegjet

Kaos në drejtësi/ KLD braktis detyrën, por jo pagat dhe

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autoriteti përgjegjës për vlerësimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve deri në ngritjen e Këshilli të Lartë Gjyqësor, ka hequr dorë nga funksioni i tij më i rëndësishëm. Këshilli i Lartë i Drejtësisë thotë zyrtarisht për Shqiptarja.com se Inspektorati i KLD nuk merret më me hartimin dhe publikimin e raportit vjetor për evidentimin e rasteve për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të dytë, për trajtimin e ankesave kundër gjyqtarëve, inspektimin e gjykatave etj. “Me hyrjen në fuqi në muajin nëntor 2016 të ligjit Nr. 96/2016 "për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", Inspektorati i KLD-së, nuk e ka me detyrim ligjor hartimin dhe publikimin e raportit vjetor për veprimtarinë e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thekson KLD, duke konfirmuar se prej dy vitesh gjyqtarët dhe gjykatat janë jashtë çdo kontrolli.

Rrethanat

Neni 160 i ligjit nr. 96/2016 ka kufizuar veprimtarinë e KLD, sidomos duke i hequr nga duart emërimet masive në gjykata, për shkak të mosbesimit të thellë që reflekton KLD brenda vendit, por edhe në qarqet ndërkombëtare. Ndërkaq, neni 173 i ligjit, ndër të tjera, ka shfuqizuar edhe nenet 14, 15 dhe 16 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD, nene të cilat kanë të bëjnë me Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe detyrave të tij. Inspektorati është instrumenti kryesor dhe i vetëm i Këshillit të Lartë i Drejtësisë për vlerësimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. Prej dy vitesh, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk e ushtron këtë funksion, ndonëse të ardhurat dhe privilegjet e anëtarëve të KLD nuk kanë ndryshuar në krahasim me vitet e mëparshme, kur Këshilli funksiononte me kompetenca të plota. Në raportin e fundit, atë të vitit 2015, Inspektorati i KLD deklaronte administrimin e 840 për veprimtarinë e gjyqtarëve. Nga 840 ankesa, Inspektorati i KLD verifikoi vetëm 212, ndërsa vendosi të arkivonte 628 ankesa. Në përfundim të procesit, IKLD ka propozuar masa disiplinore vetëm për dy gjyqtarë, por asnjëri nuk është ndëshkuar. Njëra prej ankesave nuk është bërë pjesë e rendit të ditës në mbledhje të KLD, ndërsa për ankesën tjetër është marrë masa e “vërejtjes me paralajmërim” ndaj gjyqtarit.

Zëvendësimi i Inspektoratit të KLD

Ligj nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon zëvendësimin e Inspektoratit të KLD me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Neni 201 i këtij ligji parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga Kuvendi nga radhët e kandidatëve të përzgjedhur dhe të renditur nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi. Por anëtarët e Këshillit për Emërimet në Drejtësi ende nuk kanë kaluar procesin e Vetingut, ku për rrjedhojë çdo vendimmarrje e tyre kundërshtohet nga politika. Po nga procesi Vetingut kushtëzohet edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Nga dy organet e fundit, kushtëzohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale./Shqiptarja.com/

 

Të fundit