Flash News

KRYESORE

Kaosi në Kakavijë, Meta: Përgjegjësia vetëm e qeverisë, asnjë institucion nuk njoftoi qytetarët; ndjesë në emër të shtetit shqiptar

Kaosi në Kakavijë, Meta: Përgjegjësia vetëm e

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përsa i përket situatës kaotike të krijuar ditët e fundit në pikën kufitare të Kakavijës.

Përmes një deklarate për shtyp, Meta thekson se përgjegjësia për këtë gjendje të vështirë që kaluan emigrantët bie mbi qeverinë. Sipas Presidentit, ishte "qeveria ajo e cila nuk i informoi në kohën e duhur qytetarët për masat e reja, për këtë arsye nuk mund të drejtohet gishti nga ana tjetër e kufirit."

Meta u kërkoi ndjesë në emër të shtetit shqiptar qytetarëve që pritën me ditë të tëra, duke mos e lënë as institucionin që ai drejton jashtë përgjegjësisë. Ndërkaq, Presidenti falenderoi median dhe gazetarët për pasqyrimin me detaje të situatës në Kakavijë, si dhe për kontributin e saj në shpëtimin e jetës së një fëmije 11 muajsh.

“Jam i tronditur nga situata e jashtëzakonshme që u krijua në Kakavijë. Ajo ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e pa ushtruar në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare. Si çdo herë qeveria gjen justifikime duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësi e saj.

Çfarë informacioni iu është dhënë njerëzve që udhëtojnë drejt Greqisë, çfarë paralajmërimesh ka bërë? A ka pasur ndonjë njoftim nga ana e MEPJ për kuotën e kalimit prej 750 personash në ditë. Përgjegjësia është vetëm mbi shtetin.

Radhë ka pasur edhe në situata normale në këtë kohë pasi dihet se Kakavija mban një ngarkesë shumë të madhe dhe muaji gusht mban një fluks shumë  të madh. Këtë vit kërkohej planifikim që të evitohej ajo. Radhët kilometrike në kufi sidomos në kushtet e pandemisë janë të patolerueshme nga ana e qeverisë sonë. Një qeveri e përgjegjshme i parandalon situata të tilla. Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët për kushtet e Greqisë. Për më tepër qeveria fajësoi dhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është papërgjegjshmëri.

Falenderoj median në mënyrë të veçantë për rolin që luajti, falenderoj gazetarët që i kanë qëndruar pranë dhe në një rast shpëtuan edhe një fëmijë 11 muajsh. Strukturat kryesore të vendit duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve të saj.

Ne jemi një vend me numër rekord sa i takon emigrantëve, ndaj të gjitha strukturat duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen dhe qarkullimi ne shtetasve tanë. Qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qytetarët. Një tampon 120 deri në 140 euro është i papërballueshëm nga një familje prej disa anëtarësh. Qeveria duhet të subvencionojë tamponet dhe të krijojë kushtet.

Vendi ka nevojë më shumë se kurrë për përkujdesje dhe përgjegjshmëri. Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar për të gjithë qytetarët që për dite të tëra kaluan momente tepër të vështira në pikat e kalimit kufitar me Greqinë”, është shprehur Meta.

Të fundit