Flash News

KRYESORE

Kapet me ‘Lamborghini’ të vjedhur nga Gjermania, arrestohet 38-vjeçari nga Elbasani

Ka rënë në pranga një 38 –vjeçar nga Elbasani me banim në Gjermani në sajë të operacionit “LUXURY CARS”.

Ai akuzohet se trafikonte automjete të vjedhura, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër bashkëpunëtor. Nga ky operacion, rezultoi se autori i arrestuar më 13 korrik ka hyrë në territorin shqiptar me një automjet i tipit “Lamborghini Huracán” me vlerë 250 mijë euro, mjet që në shtetin gjerman ishte deklaruar i vjedhur.

“Falë një pune të mirëorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas, një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”. Ky mjet nga shteti gjerman më datë 30.07.2019, është deklaruar i vjedhur.

Shërbimet e Policisë pas kontrolleve të kryera, kanë konstatuar automjetin dhe menjëherë bën bllokimin e tij.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Trafikimi i mjeteve motorike’’ dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale’’.

Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale, shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpunëtor).

Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së automjetit luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro.

Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, sqaron policia.

 

Të fundit