Flash News

OP-ED

Kaq pak, zoti Kandidat?

Kaq pak, zoti Kandidat?

(Letër e hapur..., z. Lulzim Basha)

nga Zef Zefi

"...Vetëm një Shqipëri normale..., u premton shqiptarve Kryeopozitari.

Një kryeminstër normal që zbaton ligjin e Kushtetutën në të cilën mishërohen, shprehen e mbrohen interesat e gjithë qytetarëve shqiptar.

Sa thjesht. Po sa pak, zoti kandidat?!

T’u premtosh shqiptarve një Shqipëri normale sot përballë një "partie" që shfarosi "70 mijë nazifashistë-rrena... një partie që dorëzoi në altarin e atdheut 28 mijë dëshmorë-rrena...,që "çliroi" përveç popullit të vet edhe popujt e Jugosllavisë nga pushtuesit-rrena me bisht...

Të premtosh Shqipëri normale përballë një "partie" që bëri "kopshtin me lule" në Europë, ndërtoi "kala graniti" në breg të Adriatikut, që "çau rrugën e historisë prej 80 vjetësh me strajcë në dorë", që ndërtoi e vetme me "...forcat e veta..." bazat sociale për t’u hedhur në komunizëm... që "shaktërroi" imperializmin amerikan, socialimperializmin sovjetik e jugosllav me forcat e veta...është pak shoku kandidat!

Të zotohesh për Shqipëri normale, pra të përdorësh një fjalë kaq modeste, "normale", z. Basha, përballë një "partie" që pas revolucionit të Parë, dhe "revolucionarizimeve...", bëri dhe dy revolucione të tjera "postmoderne..."; i pari, lau me gjak Shqipërinë borgjeze dhe e vuri pushtetin e vet mbi 3000 kufoma shqiptarësh, dhe i dyti revolucioni i "qelbësirave"..., eh, nuk e di ku të çon mushka, z.Kandidat.

Shqipëri normale, përballë kësaj partie jallane, që vetëm duke shembur e hedhur në erë e bëri Shqipërinë "urbane", që mjeksinë e bëri falas vetëm me bujarinë e liderit të vet, që punësoi treqind mijë shqiptarë në atdhe e gjysëm tjeter milioni i nisi për të pushtuar tregjet e punës së botës.

Partia që e bëri e vetme Shqipërinë me drogën që duam...,Tahirin, Xhafin e Lleshin kapterrët me maska siç na e do dhe i duam...

Që lartësoi taksat, papunësinë dhe çmimet, por uli rrogat që duam...

Që korri, vodhi, grabiti e magazinoi me duar të akullorëta të liderit të gjitha zgjedhjet që duam, që bëri parlamentin e spiropaleve dhe hajdarinave me rreshter-Ruçin që duam. Që bëri e vetme pa iu trembur syri nga armiqtë zgjedhjet e kajmakëve të kooperativave që duam.

E tani mbi rrënojat e theatrove antikë sinonim i atdheut sot, luan teatër skënderbuçkua

Neve shipove që jemi mësuar me heroizma, të edukuar e ndërsyer kundër njëri-tjetrit nga  udhëheqësia e qelbësirave, neve të na ofrohet një Shqipëri modeste, normale me demokraci funksionale, e jo Shqipëri iluzive?

Zor, z. Kandidat. Është pak.

Të fundit