Flash News

KRYESORE

Katër shtete të Ballkanit do kërkojnë organizimin e ‘Botërorit 2030’

Katër shtete të Ballkanit do të kërkojnë të organizojnë Kupën e Botës në futboll për vitin 2030. Bëhet fjalë për Greqinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Rumaninë që do të aplikojnë në FIFA për organizimin e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.

Plani i asaj që quhet tashmë në fushën diplomatike si “katërshja ortodokse” është bërë publik gjatë takimit në Varna të Bullgarisë ku morën pjesë kryeministri i këtij shteti, Boyko Borissov, kryeministri grek Aleksis Tsipras, kryeministrja rumune Viorica Dăncilă dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Asnjë shtet i Ballkanit nuk ka organizuar më parë Kupën e Botës.

Nëse kandidatura e “katërshes ortodokse” finalizohet, në këtë garë do të përballen me një konkurrencë të fortë.

Uruguaji, Argjentina dhe Paraguaji kanë zyrtarizuar tashmë kandidaturën e përbashkët për Botërorin 2030, njësoj kanë vepruar edhe Algjeria-Maroku-Tunizia.

Interes kanë shprehur gjithashtu dy shtete të tjera afrikane, Kameruni dhe Egjipti. Në Europë janë Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës që kanë folur për një kandidaturë të përbashkët, por deri më tani nuk është zyrtare.

Spanja ka shprehur gjithashtu interes për organizimin e Kupës së Botës, por për zyrtarizimin pret konfirmimin nga Portugalia. Një kandidaturë interesante mund të vijë nga Azia, atje ku Koreja e Jugut i ka dërguar ftesë Koresë së Veriut për një kandidaturë të përbashkët, por edhe Kinës me Japoninë nëse negociatat me Kim Jong Un dështojnë.

*Takimi i "katërshes ortodokse" në Varna të Bullgarisë

Të fundit