Flash News

KRYESORE

Kërcënuesi i gazetarit në Laç i skeduar nga policia, 3 vite më parë goditi me grushta inspektorin e ISHP

Kërcënuesi i gazetarit në Laç i skeduar nga policia, 3

Shtatasi Llesh Buraku, i cili në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u raportua se ka kërcënuar më armë në kokë gazetarin Julian Shota, pas një shpërthimi që ndodhi në lokalin e tij rezulton një emër mjaft i njohur por policinë e Laçit.

Kështu, në korrik të vitit 2015, ai kishte dhunuar duke e goditur me grushte inspektorin e Shëndetit Publik, i cili kishte shkuar për kontroll në lokalin e 54-vjeçarit.

Për këtë ngjarje, më 28 tetor 2015, Gjykata e Kurbinit e shpalli fajtor Llesh Burakun për veprën “goditje për shkak të detyrës” dhe e dënoi me 150 mijë lekë gjobë.

Ky vendim u ankimua nga Prokuroria dhe nga vetë i pandehuri. Ky i fundit kërkonte që të shpallej i pafajshëm, ndërsa organi i akuzës kishte kërkuar që Buraku të dënohej me 1 vit burgim dhe dënimi i tij përfundimtar të ishte me 8 muaj.

Çështja shkoi në Gjykatën e Apelit Tiranë për t’u shqyrtuar, dhe në seancën gjyqësore të mbajtur në 18 janar 2017, prokurori u tërhoq nga ankimi i çështjes. Po kështu, edhe Llesh Buraku u tërhoq nga kërkesa e tij.

“Në seancën gjyqësore të dt.18.01.2017, Prokurori i Apelit në kërkesa paraprake deklaroi se heq dorë nga ankimi i prokurorit të rrethit. Gjithashtu edhe i pandehuri paraqiti një kërkesë me shkrim për heqjen dorë nga ankimi ndaj vendimit Nr.1114-222 datë 28.10.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë që mban datën 18 Janar 2017.

Në të tilla kushte, kur dy palët u tërhoqën nga kërkesat respektive, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Kurbinit, ku Llesh Buraku u dënua me 150 mijë Lekë gjobë për goditjen e inspektorit të ISHP.

Aktualisht, Buraku ndodhet në Komasariatin e Laçit, ku do të japë shpjegime pse kërcënoi gazetarin në krye të detyrës dhe nëse ka dijeni për personat që mund t’i kenë vënë tritolin tek lokali i tij, i cili shpërtheu gjatë natës pa shkaktuar viktima.

Të fundit