Flash News

KRYESORE

Kërkesa për 650 mln € eurobond, Meta letër Ruçit: 4 arsye pse nuk jap pëlqimin tim për miratimin e ligjit

Kërkesa për 650 mln € eurobond, Meta letër Ruçit: 4

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar të jap pëlqimin e tij për miratimin e një ligji të ri për eurobondin. Në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreu i lartë i shtetit refuzon të jap pëlqimin e tij për ligjin e qeverisë, bazuar në 4 arsye kryesore.

  1. "Si titulli, ashtu dhe dispozita e nenit të parë të ligjit, parashikojnë dhënien e miratimit për përjashtimin nga taksat dhe tatimet, si dhe të heqjes dorë paraprakisht nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen. Delegimi i vendimmarrjes, siç në rastin konkret bëhet përmes heqjes dorë nga imuniteti në këtë mënyrë, pa qënë një dijeni të kushteve që do të negociohen në një marrëveshje, nuk duhet të bjerë ndesh me parimet kushtetuese të sanksionuara në nenin 116 dhe në nenin 118 të Kushtetutës. Çdo autorizim që Kuvendi jep me ligj, duhet të jetë i qartë për çështjet që do të rregullohen përmes këtij autorizimi, ashtu edhe për parimet që do të duhet të ndiqen për këto rregullime. Ndërsa delegimi i një pushteti të papërcaktuar apo të papërcaktueshëm qartë në përmbajtje nuk shkon në frymën e këtyre parimeve kushtetuese.
  2. Kjo nismë duhet të jetë e shoqëruar me një analizë më të hollësishme që reflekton domosdoshmërisht dhe qëndrimin e shprehur të Bankës së Shqipërisë në lidhje me rreziqet e daljes në treg aktualisht, kur: - Shqipëria në këto momente nuk ka avantazhet që mund të kishte përpara situatës së pandemisë COVID – 19; - Nëse kuotimi i Eurobondit nga pikëpamja e kostos mund të rezultojë në një përkeqësim të situatës financiare dhe rrezikut nëse tregjet mund të rezultojnë në një rritje potenciale të normës së interesit, si dhe përkeqësimit të treguesve të tjerë.
  3. Transparenca e duhur lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për financat publike, ashtu si dhe për konsultimet e zhvilluara mbi këtë nismë, veçanërisht sa i takon qëndrimit që ka mbajtur Avokatura e Përgjithshme e Shtetit është shumë e rëndësishme. Të gjitha rezervat, nevojat dhe argumentet, përveçse duhet të pasqyrohen në mënyrë të hollësishme në relacion me qëllim të emetimit të një borxhi në kohën e duhur dhe të sigurimit të termave më të mira financiare, duhet t`i nënshtrohen edhe diskutimit transparent me ekspertët e fushës si për publikun, ashtu dhe në Kuvend.
  4. Nga ana tjetër, është i paqartë fakti se, përse përmes këtij ligji i jepet autorizim i veçantë ministrit të Shtetit për Rindërtimin, fusha e përgjegjësisë shtetërore të të cilit nuk lidhet me stabilitetin ekonomik nëpërmjet drejtimit me efektshmëri, efektivitet dhe transparencë të financave publike, përgjegjësi kjo shtetërore e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë", thuhet në letrën e Metës.

Kujtojmë se, pëlqimi i kësaj kërkese nga Presidenti i Republikës do ti jepte dritën jeshile qeverisë shqiptare që t`i drejtohet për herë të katërt tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin eurobond, për të siguruar një Eurobond deri në 650 milionë euro.

Letra e plotë e Presidentit Meta drejtuar Ruçit, në të cilën shpreh arsyet e mospëlqimit (Lexo këtu)

Të fundit