Flash News

KRYESORE

Kërkesa që pritet t’i mbërrijë Tiranës nga organizata e rëndësishme ku bën pjesë: Të ndërpriten marrëdhëniet me SHBA

Kërkesa që pritet t’i mbërrijë Tiranës nga

Në Tiranë mund të mbërrijë shumë shpejt kërkesa për ndërprerjen e marrëdhënieve me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një kërkesë e tillë është e pamundur të merret në konsideratë nga Tirana, megjithatë, vendi ynë do të përballet me këtë situatë për shkak të pjesëmarrjes në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).

OBI po përgatitet të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme në Stamboll pasi nga ‘Shtëpia e Bardhë’ po vijnë sinjale se presidenti Donald Trump do të miratojë vendimin për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Një veprim i tillë po kundërshtohet ashpër nga vendet myslimane dhe Bashkimi Evropian.

Në një deklaratë të OBI-së paralajmërohet se nëse Uashingtoni njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, rajoni do të zhytet në kaos, ndërsa kërkohet miratimi i një rezolute kundër këtij vendimi.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të detyrojë Izraelin, fuqinë pushtuese, të anulojë vendimin e tij të paligjshëm për të aneksuar el-Kudsin (Jerusalemin lindor). Rikujtojmë pozitën islame dhe kërkojmë mobilizimin e të gjitha potencialeve për t’iu përgjigjur këtij vendimi, si dhe të zbatohet bojkoti politik dhe ekonomik ndaj atyre shteteve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë të lidhur me këtë vendim, por duke i ftuar ata të respektojnë të gjitha rezolutat e OKB-së. U bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të ndërpresin lidhjet me palët zyrtare dhe jo zyrtare që njohin aneksimin e qytetit të shenjtë nga Izraeli dhe transferojnë aty misionin e tyre diplomatik”, thuhet në reagimin e OBI-së.

Shqipëria është një prej 57 shteteve anëtare të OBI-së, por edhe nëse Trump transferon ambasadën në Jerusalem, shumë pak shtete, për të mos thënë asnjë prej tyre nuk do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në. Ashtu si Shqipëria, në OBI ndodhen shtete që kanë marrëdhënie të ngushta me SHBA, si Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania, çka e bën të pamundur zbatimin e kësaj kërkese nëse vjen në rrugë zyrtare.

Ndërkohë, edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, paralajmëroi për ndërprejen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në rast se Trump shkon përpara me vendimin e tij, por nuk përmendi ekzistencën e një mundësie që një masë e tillë radikale të merret edhe për marrëdhëniet me SHBA-në.

Bota reagon kundër Trump për ambasadën në Jerusalem. Erdogan: Do ndërpresim marrëdhëniet me Izraelin. Kundër Mogherini dhe Macron

Të fundit