Flash News

KRYESORE

Këshilli i Europës miraton rezolutën kundër Shqipërisë: Distancohuni nga ‘Deklarata e Kajros’

Këshilli i Europës miraton rezolutën kundër

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar ditën e djeshme, në mënyrë unanime, një rezolutë kundër Shqipërisë ku bëhet thirrje për distancim të qartë nga Deklarata e Kajros. Në rezolutë përfshihen gjithashtu Turqia me Azerbajxhanin, si dhe Greqia me Mbretërinë e Bashkuar.

“Asambleja shprehu shqetësim për faktin se "ligji i Sheriatit, duke përfshirë dispozita të cilat janë në kundërshtim të qartë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë aplikuar qoftë zyrtarisht ose jozyrtarisht në disa shtete anëtare". Shqetësimet lidhen me ekzistencën e gjykatave joformale islame, duke përmendur në veçanti 'këshillat e Sheriatit' në Mbretërinë e Bashkuar, ose Myftitë në Greqinë lindore që veprojnë në një kapacitet gjyqësor pa mbrojtje të duhur procedurale. Është shqetësim i madh, thanë deputetët, se "tre shtete anëtare, përkatësisht Shqipëria, Azerbajxhani dhe Turqia, kanë miratuar, në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar, Deklaratën e Kajros”, thuhet në reagimin e Këshillit të Europës, raporton Politiko.al.

Në deklaratë thuhet se, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Turqia duhet të konsiderojnë distancimin nga Deklarata e Kajros dhe të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar që kjo e fundit nuk ka efekt në urdhrat e tyre të brendshëm ligjor.

Çfarë është ‘Deklarata e Kajros’?

Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam është ratifikuar në vitin 1990 nga shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, ku edhe Shqipëria bën pjesë, e cila e përcakton shari'an si bazë të vetme për “të drejtat e njeriut“. Kjo deklaratë shihet si e kundërta e Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, nga e cila ajo devijon në mënyrë të konsiderueshme.

Deklarata e Kajros u miratua më 5 gusht 1990 nga 45 ministrat e jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike të përbërë nga 57 shtete anëtare. Ajo pretendohet se duhet të shërbejë si parim në lidhje me të drejtat e njeriut, megjithatë, pa pasur karakter të detyrueshëm për të drejtën ndërkombëtare dhe në të drejtën e shteteve nacionale anëtare të OKI-së, është pa shumë peshë.

Shqipëria dhe Këshilli i Europës

Pas rënies së komunizimit, Shqipëria nisi një proces të gjerë për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Islamike ka ndodhur në vitin 1992, tre vite përpara anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij. Ideologet më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman, Konrad Adenauer.

Të fundit