Flash News

KRYESORE

Këshilli Politik/ Bylykbashi: PS i frikësohet përgjigjes së ODIHR; Vasili: Sipas Gjiknurit, mazhorancë miraton ligjin që i leverdis

Këshilli Politik/ Bylykbashi: PS i frikësohet përgjigjes së

Përfaqësuesi i PD, në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi pas mbledhjes dy-orëshe se Partia Socialiste ka frikë nga përgjigja e ODIHR që opozita e bashkuar po insiston, për të kërkuar asistencë ligjore për pikat e padakordësuara, sidomos për koalicionet parazgjedhore.

“Siç deklaruam në fillim të mbledhjes së sotme, opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e axhendës të jetë nënshkrimi i përbashkët në këtë Këshill kërkesës drejtuar ODIHR në lidhje me zbatimin e standardeve ndërkombëtare për ndryshimin e rregullave themelore të sistemit zgjedhor.

Partia Socialiste, z. Gjiknuri refuzoi në mënyrë të vazhdueshme ngulte këmbë që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij të palogjikshëm që të ndryshojë rregullat, ndërkohë që loja ka filluar.

Opozita kërkon me insistim, kërkoi edhe sot me insistim dhe përsëri u përball me refuzimin e Partisë Socialiste. Pra, opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR si arbitër i rënë dakord në marrëveshjen e 14 janarit.

PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgfjigjia që do të vijë nga ai që të gjithë kemi pranuar që të jetë arbitër jo vetëm i këtij procesi reforme, por edhe i zgjedhjeve në Shqipëri. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pozicion.

Nëse PS nuk ndryshon qëndrim bllokon funksionimin e Këshillit Politik e për rrjedhojë bllokon edhe Reformën Konsensuale Zgjedhore që është kërkesë e BE-së si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë", tha Bylykbashi.

Pyetje: Z. Bylykbashi, z.Gjiknuri tha se do të ishte dakord t’i drejtoheshit ODIHR-it por me një produkt konkret, p.sh me propozimin e socialistëve. Pse nuk bini dakord?

Bylykbashi: Kërkuan tekst, i kemi dhënë tekst, zyrtarisht amendamente të cilat garantojnë koalicionin siç është sot në Kodin Zgjedhor, në përputhje me Kushtetutën e ndryshuar më 30 korrik dhe listën e hapur 100%. Të marrë versionin tonë, versionin e vet, t’ia çojmë ODIHR-it së bashku dhe e mbyllim këtë çështje, vazhdojmë diskutimet me çështje të tjera. Pikërisht këtë nuk do z.Gjiknuri, sepse e di që përgjigja që do të vijë është që: Ajo që po bëni po prek standardet ndërkombëtare për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili tha se PS kërkon rregulla që të favorizojë vetëm atë.

"Kemi qenë në diskutim e sipër dhe zoti Gjiknuri si përfaqësues i Partisë Socialiste e braktisi tavolinën e Këshillit Politik, në mënyrë të njëanshme, duke i bërë shërbim strategjisë së bllokimit të këtij këshilli. Së dyti dua të ndaj me ju një deklarim shumë të rëndë të zotit Gjiknuri sot në mbledhje, i cili deklaroi qartë, haptazi, që duke qenë se jemi në mazhorancë ne miratojmë ligjin që na leverdis. Pra, pohoi qartë që me qenë se jemi mazhorancë, miratojmë ligjin që na leverdis. Kjo shpjegon më së miri për këdo, edhe për qytetarin më të fundit dhe më pak të interesuar për politikën, që këtu kemi të bëjmë me një qëndrim tërësisht të njëanshëm, të diktuar nga frika e qartë e humbjes së zgjedhjeve dhe me qëllimin që të bëjë çdo lloj strategjie që një pakicë të përpiqet të manipulojë rezultatin duke mos qenë shumicë e vendit.

I kemi kërkuar qartë dhe prerë, përse ka frikë Partia Socialiste, që t’i drejtohemi OSBE/ODIHR-it, ku paragrafi i dytë i 14 janarit thotë qartë që për çështjet ku nuk ka dakordësi, aq më tepër që këtu bëhet fjalë për çështje madhore, siç është ndryshimi i njëanshëm dhe i dhunshëm i Kushtetutës. Pra thotë t’i drejtohemi OSBE/ODIHR-it. Është sigurisht e pabesueshme, e jashtëzakonshme, shumë e rëndë për të ardhmen e Shqipërisë, që drejtuesja formale e OSBE/ODIHR-it, pra Shqipëria, ndalon e bllokon Këshillin Politik si një instrument të ndërtuar konsensualisht për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it e për të marrë opinion. Haptazi dhe qartë, provuan sot edhe njëherë që nuk u intereson që shqiptarët të votojnë atë që ata duan, pra me lista të hapura 100 %. U kanë hequr shqiptarëve dy mundësi: të votojnë kandidatin që duan dhe të votojnë partinë që duan. Asnjë nga ju, edhe ju që na intervistoni, kur shkoni në qendrën e votimit, jo si gazetarë, por si qytetarë, keni dy zgjedhje të cilat do t’i bëni sipas preferencës suaj: të zgjidhni partinë që doni e të zgjidhni edhe kandidatin që ju pëlqen apo ju bind më shumë.

Njëherazi, i përsëritëm edhe njëherë që opozita nuk kërkon asgjë, kërkon vetëm standarde të larta zgjedhore. Nuk ka asnjë pretendim apo favor që i bëhet, një privilegj që i ofrohet asaj, por thjesht dhe vetëm barazi rregullash. Pra futemi në lojë me rregulla saktësisht të barabarta. Partia Socialiste kërkon rregulla, ashtu siç tha me shumë sinqeritet z. Gjiknuri, pra që tha që jemi mazhorancë dhe bëjmë ligjin që na leverdis, përpiqet të bëjë rregulla që të favorizojë vetveten.

Është shumë e qartë që një shumicë e tillë dërrmuese nuk modifikohet dot me asnjë lloj rregulli, por dëmi që po i bën Partia Socialiste, një armike konstante e integrimit europian, dikur ia bënte dëmin për një kryetar qarku në Fier, sot ia bën dëmin me standardet e njëanshme që janë të papranueshme për Europën që ka qenë shumë e qartë në deklarimet e saj.

Ajo ka thënë që pa fjalën e OSBE-ODHIR që ky kod i ndryshuar i përputh standardet më të mira ndërkombëtare të mbajtjes të zgjedhjeve, ata nuk e quajnë kusht të realizuar për reformën zgjedhore, e megjithatë PS ngul këmbë. Sepse i pëlqejnë dhe do, qofshin këto standarde të vendeve më antidemokratike në botë që s’kanë asnjë lidhje me Europën, vetëm e vetëm që të mbajë pushtetin dhe paratë që vjedh çdo ditë dhe të ruhet nga pandëshkueshmëria, pra ta ketë në anën e saj. Pra i gjithë qëllimi i saj është politik. Çështjet që i drejtojmë OSBE-ODHIR janë parimore, të mëdha, që do të thotë që ka zgjedhje të barabarta për të gjithë aktorët në lojë?

Janë këto zgjedhje që mund të ndryshohen brenda natës, sepse llogaritë i dalin mangët PS dhe ajo del humbëse? Këto kërkojnë një përgjigje, për të cilat janë të interesuar që ta dinë të gjithë shqiptarët dhe që është themeli i 14 janarit dhe i 5 qershorit. Përvijimi i këtyre ndryshimeve ka pasur vetëm një skenar. 5 qershori të prishë skenarin e PS për të pasur një 30 qershor që vetë votonte, vetë kishte komisionerët nëpër zona dhe vetë numëronte. Meqenëse ai skenar u prish në bashkëpunim me miratimin e një standardi me të drejta të barabarta, iu fut ndryshimeve të njëanshme.

E them sërish, motoja e PS që duhet të mbetet në mendjet tuaja është ajo që Damian Gjiknuri tha haptas në sytë e të gjithë pjesëmarrësve dhe misioneve ndërkombëtare që e ndjekin komisionin nga afër dhe e monitorojnë, pra që jemi mazhorancë dhe bëjmë ligjin që na leverdis. Këtu është fundit i gjithçkaje që Rilindja dhe Edi Rama thotë që në vazhdën e kësaj të gjitha diskutimet e tjera janë pa dobi dhe tregojnë qartë që skenarë ishin vetëm dy, ligji që na leverdis dhe të bllokojmë, ta sabotojmë me çdo mjet Këshillin Politik si një instrument që ndërton konsensus dhe mbi të bazë krijon dhe zgjedhje të lira e të ndershme", tha Vasili.

 

Të fundit