Flash News

KRYESORE

Këshilli Politik/ Rama dhe opozita e re palë për listat e hapura, a do të jetë prezent opozita jashtëparlamentare?

Këshilli Politik/ Rama dhe opozita e re palë për listat e hapura,

Sot në orën 17.00 Këshilli Politik është thirrur sërish nga përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri dhe në fokus të diskutimeve do të jenë ndryshimet kushtetuese që sanksionojnë hapje listash dhe rrjedhimisht heqje të koalicioneve parazgjedhore.

Ndërkohë, në këtë takim mazhoranca dhe opozita parlamentare do jenë palë dhe me qëndrime të përbashkëta sa i takon ndryshimeve kushtetuese, nismë që u firmos dje mes tyre të votohet në 30 korrik, në sesionin e fundit parlamentar.

Ndërkohë, opozita jashtëparlamentare reagoi dje pas paktit të ri, duke e cilësuar një “plan diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njëanshme kushtetuese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor”.

Po sot, kryeministri apeloi sërish në një reagim në twitter opozitën e bashkuar.

“Sot në 17:00 është propozuar nga ana jonë përmes Damian Gjiknurit mbledhja e Këshillit Politik. Përsëris apelin për OP jashtëparlamentare që të mos e bojkotojë Këshillin Politik dhe të vijojmë dialogun tripalësh së bashku me OP parlamentare, për reflektimet e risive kushtetuese!”, shkruan Rama.

Megjithatë, opozita nuk i është përgjigjur ende thirrjes së mazhorancës dhe nuk dihet ende qëndrimi i saj në takimin e sotëm në Këshillin Politik.

Në mbledhjen e parë që zgjati gati pesë orë (të hënën) nga takimi nuk pati asnjë rezultat konkret dhe opozita jashtëparlamentare u përfaqësua me Oerd Bylykbashin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Të fundit