Flash News

KRYESORE

Këshilltari special i Donald Trump flet për origjinën shqiptare: Historia e preferuar? Takimi me ushtarët shqiptarë në Afganistan

Këshilltari special i Donald Trump flet për origjinën shqiptare:

Koloneli Chris Costa ka marrë së fundmi drejtimin e Muzeut të Spiunazhit, pas një karriere të gjatë më shumë se 30 vjeçare si oficer zbulimi në radhët e ushtrisë. Përpara se të merrte detyrën e re, Costa ishte këshilltar special i presidentit Donald Trump dhe drejtor për Anti-Terrorizmin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, ai ka folur për prejardhjen e tij shqiptare dhe angazhimin e prindërve të tij në organizatat shqiptaro-amerikane që veprojnë në SHBA. Costa thekson se gjyshërit e tij ishin me origjinë nga Vithkuqi i Korçës dhe nga Berati, ndërsa ai sot, jeton me trashëgiminë që i kanë lënë ata.

“Gjyshërit e mi, të dy u lindën në Shqipëri dhe i sollën prindërit e tyre këtu, mbërritën në Ellis Island. Këtu gjetën Ëndrrën Amerikane. Krijuan familje. Unë jetoj me trashëgiminë që më lanë. Janë shumë krenar për prejardhjen shqiptare. Prindërit e babait ishin nga Vithkuqi, pranë Korçës, ndërsa prindërit e nënës ishin nga Berati. Pata shansin që në fillim të viteve 1990 të ecja nëpër të njëjtat rrugë në fshatrat nga kishin ardhur ata. Ishte e mrekullueshme”, shprehet koloneli.

Gjyshërit, tregon kolonel Costa, i rritën fëmijët me një ndjenjë të fortë të identitetit shqiptar. Prindërit e tij, megjithëse të lindur në Shtetet e Bashkuara ishin jo vetëm të vetëdijshëm dhe krenarë për origjinën, por edhe aktivë në komunitet përmes Organizatës Kombëtare, Shqiptaro-Amerikane ku edhe u prezantuan gjatë një mbrëmjeje festive:

“Një djalë i ri, i pashëm, oficer në Marinën Amerikane, prezantohet me një vajzë bukuroshe nga Filadelfia. Përfundimin e takimit, e dimë tani”, thotë ai.

Koloneli kujton një moment të bukur nga kontaktet e tij me shqiptarë gjatë shërbimit si oficer:

“Historia ime e preferuar... pas një operacioni të sukseshëm anti-terrorist në Afganistan rastisa në disa ushtarë shqiptarë në një bazë ushtarake. Vendosa të kaloj pak kohë me ta. Shkuam për kafe. Nuk më linin të paguaja. Qeshëm, shkëmbyem histori. U tregova se nga e ka origjinën familja ime. Më mbetën sytë tek emblema me shqiponën dy-krenare që kishte njëri prej tyre në uniformë. Ai e shkuli nga uniforma dhe ma dhuroi”.

Të fundit