Flash News

KRYESORE

Kjo është ministrja që në gjashtë muaj ka mbajtur vetëm një fjalim në Kuvend

Kjo është ministrja që në gjashtë muaj ka mbajtur

Debatet në Kuvend dominohen kryesisht nga përplasjet midis kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha, e jo pak herë në media kanë qarkulluar informacione për kritikat që kreu i qeverisë i bën ministrave të tij, të cilët nuk u përgjigjen sa duhet akuzave që vijnë nga opozita.

Rama duket se ka të drejtë për këtë çështje. Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit për janar-korrik 2018, ku rezulton se Rama dhe ministri i tij i Financave, Arben Ahmetaj, kanë më shumë diskutime sesa gjysma e qeverisë.

Dy politikanët e sipërpërmendur kanë mbajtur secili nga 11 fjalime nga foltorja e Kuvendit, por e njëjta paraqitje nuk është për pjesën tjetër të qeverisë.

Lindita Nikolla që drejton Arsimin pason Ramën dhe Ahmetajn me shtatë fjalime, ndërsa Ditmir Bushati i Ministrisë së Jashtme, Fatmir Xhafaj i Punëve të Brendshme dhe Niko Peleshi i Bujqësisë kanë mbajtur nga pesë fjalime në gjashtë muajt e fundit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka performancën më të dobët në të gjithë qeverinë, me vetëm një fjalim të mbajtur në Kuvend në gjashtë muaj punë.

“Nga të dhënat e fjalimeve të ministrave, sidomos nga brendësia e fjalimeve, ka një tregues të përbashkët e të gjithë ministrave, - edhe pse jetojmë në një vend me 1000 probleme të djeshme e të sotme në funksionimin e shtetit e të demokracisë pothuajse asnjë prej tyre nuk pranon në asnjë rast, asnjë përgjegjësi për kritikat që iu bëhen”, raporton ‘ISP’.

Të fundit