Flash News

KRYESORE

“Kjo qeveri nuk mund të lirohet vetë nga krimi”, mesazhi i Bashës në protestë: Rruga e vetme, ta largojë populli i bashkuar

“Kjo qeveri nuk mund të lirohet vetë nga krimi”, mesazhi i

“Sot nuk duhet të ketë më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të lirohet vetë nga krimi, sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar se ka vetëm një rrugë: largimi i kësaj qeverie nga populli i bashkuar.”

Ky ishte thelbi i mesazhit që kreu i opozitës, Lulzim Basha, përçoi te mijëra qytetarë të mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë, të cilët bën thirrje për një Shqipëri normale, të lirë dhe evropiane.

Basha theksoi gjithashtu gjatë fjalimit se përpjekja e tyre nuk është përplasje e opozitës me qeverinë dhe as luftë për pushtet, por përpjekja e popullit për të luftuar sundimtarin.

“Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisës. Përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet. Përpjekja jonë është lufta e popullit kundër sundimtarit. Është beteja midis njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Problemi që ka sot Shqipëria nuk është problem i marrëdhënieve opozitë-qeveri, problemi është mungesa e demokracisë, rënia e shtetit të së drejtës, dhunimi i të drejtave të qytetarëve, është shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni”, tha ndër të tjera kryedemokrati.

Basha u shpreh se ky është momenti që shqiptarët të ngrihen dhe të ndjekin yllin e tyre në Perëndim.

Pjesë nga fjalimi i Bashës:

Sot, në këtë shesh jemi mbledhur me qindra e mijëra për të dritën e së vërtetës, për dritën e jetës, për diellin tonë që lind në Perëndim. Për atë dritë që na u mohua në gjysmë shekulli komunizëm, për atë dritë që sot e kanë bllokuar rretë e zeza të krimit të korrupsionit. Sytë tanë kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi edhe pse ajo na shkëlqen nga larg.

Sot jemi mbledhur në këtë shesh për të treguar se jemi evropian, dhe si evropianë ne besojmë te liria, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne protestojmë sot si evropianë me forcën e njerëzve të lirë.

Ne jemi këtu për t’i treguar Perëndimit se Qeveria bizantine që sot qeveris vendin, nuk përfaqëson popullin.

Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisës. Përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet. Përpjekja jonë është lufta e popullit kundër sundimtarit. Është beteja midis njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë.

Problemi që ka sot Shqipëria nuk është problem i marrëdhënieve opozitë-qeveri, problemi është mungesa e demokracisë, rënia e shtetit të së drejtës, dhunimi i të drejtave të qytetarëve, është shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni.

Sot nga ky shesh, i mbushur si asnjëherë më parë, ne dëshmojnë se ne nuk e pranojmë autokracinë, nuk e pranojmë korrupsionin, nuk i mbyllim sytë përpara drogës dhe krimit. Demokracinë mund ta sjellin dhe ta garantojnë vetëm njerëzit e lirë dhe kurrë autokratët e korruptuar.

Kohë më parë popullit të këtij vendi iu premtuan vende pune, por vendet që hapi kjo qeveri janë ato në fushat e drogës. Prandaj me mijëra shqiptarë po largohen nga Shqipëria dhe mijëra të tjerë duan të ikin.

Shqiptarët po dynden drejt Evropës sepse kanë frikë në vendin e tyre, sepse nuk besojnë se në Shqipëri do të ketë demokraci.

Shpresën që nuk e vrau komunizmi, e vrau ‘Rilindja’. ‘Rilindja’ është projekt i një njeriu, përçmues i atdheut të tij. Etja për pushtet, mungesa e dashurisë për vendin dhe njerëzit, e futi ‘Rilindjen’ në hendekun e shkatërrimit të vendit. ‘Rilindja’ u ngrit në katër gjemba anti-kombëtare dhe anti-evropiane; në aleancën mbi krimin për vota; zëvendësimin e Kushtetutës me pushtetin arrogant; mbi përqëndrimin e pasurive të vendit në pak duar; mbi propagandën dhe keqinformimin për të treguar të vertetën.

Rilindja nuk degradoi rrugës, ishte një projekt kriminal. Që në ditën e parë ‘Rilindja’ e plaçkiti atdheun. Pas 5 vitesh, Rilindja ka ndërtuar një sistem kriminal. Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës. Pushteti i sotëm nuk është më pushteti i njerëzve, por i një pakice që zhytet gjithnjë e më shumë në krim.

Sot nuk duhet të ketë më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të lirohet vetë nga krimi, sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar se ka vetëm një rrugë: largimi i kësaj qeverie nga populli i bashkuar.

Ne nuk kërkojmë vetëm ndyshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës nga krimi, korrupsioni, nga e keqja. Asnjë qeveri nuk bëhet vetë e mirë, pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përparua janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë. Asnjë qeveri nuk duhet lënë pa mbikëqyrje.

Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj që premtojnë bëma të mëdha. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës që janë normal dhe që sillen si evropianë.

Për këtë duhet të kemi besim te vota. Kur njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshim, atëherë vota nuk ka më vlerë.

Ne kemi nevojë të besojmë se ne mund ta bëjmë Shqipërinë, se mund ta mposhtim të keqen dhe të ndërtojmë të mirën. Nëse 5 vitet e fundit kanë treguar një gjë është se sa herë që njerëzit janë bërë bashkë, ata ja kanë dalë, mendoni sa të fuqishëm jemi kur bëhemi bashkë me qindra mijëra, atëherë pushteti do të jetë vërtetë i njerëzve.

Ne nuk jemi këtu nga dëshpërimi, ne kemi dalë në këtë shesh si triumfator, sepse kemi triumfuar mbi krimin dhe pushtetin e bërë njësh me të.

Unë nuk jam këtu për të kërkuar pushtet për vete. Nuk jam këtu për të zaptuar. Nuk jam këtu për të qenë mbi ju. Jam këtu për t’ju dhënë kurajo, për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju.

Çfarë na pret përpara nuk është sfida e një njeriu, është udhëtimi i të gjithë ne, duke ndjekur dritën që lëshon ylli ynë në Perëndim.

Ne kemi humbur shumë vjet në cektina dhe mjerim, por tani batica po ngrihet sërish, ky është momenti ynë. Kjo është vala që po ngrihet, e po ngrihet, e po ngrihet...

Zoti e bekoftë Shqipërinë.

Të fundit