Flash News

KRYESORE

Klajdi Qato tregon si shpëtoi nën rrënoja dhe bisedën me mjekun: "E do si Lul Basha apo si Edi Rama?"

Një ndër rastet e suksesshme ku është nxjerrë i gjallë nga rrënojat është rasti i Klajdi Qatos, djalit të pronarit të hotelit "Vila Palma". Aty ngeli i vdekur babai i pronarit, 85-vjeçari Sadik Qato.

Por në orët e para të mëngjesit, nga brenda rrënojave Klajdi Qato po jepte sinjale jete. Ai ka qëndruar për rreth 21 orë nën rrënoja por në darkë situata është rënduar psikologjikisht për shkak të situatës ku ndodhej por edhe sepse temperaturat po binin dhe nga nën rrënojat ishte e pamundur edhe t`i bëjë serume të ngrohta intravenoze.

Një mbështetjhe e madhe për Klajdin, që i ka dhënë forcë t`ja dalë dhe të luftojë me jetën, ka qenë mjeku Grej Malo. Doktor Malo tregon  për dokumentarin "Top Story - “Pabesia” - Pamje dhe rrëfime të patransmetuara, për 51 viktimat e tërmetit" në Top Channel se ai bisedonte dhe i jepte kurajë Klajdit. Madje ai edhe e ka testuar për të kuptuar gjendjen mendore të Klajdit si përsëritja e alfabetit por edhe shumëzimet matematikore.

Në mes të gjithë situatës së rëndë ku ndodheshin dhe kaotike, Klajdi ka guxuar edhe të bëjë shaka e të ndërrojë batuta me Dr. Malon kur e ka pyetur sa bëjnë 3 x 3.

Dr. Malo: Meqë ra llafi Klajdi a je mirë, sa bëjnë 3 x 3?

Klajdi: Dhe unë në moment të parë, e ndjeja që isha mirë dhe ngaqë s`doja t`i ktheja përgjigje, i thashë, e do si Lul Basha apo si Edi Rama? Që ta kuptonte më të vërtetë që isha mirë.

Doktori tregon më pas se Klajdi në asnjë moment nuk u dorëzua psikologjikisht. Ka të bëjë shumë në këtë raste pasi në situata të tilla shumë njerëz mund të jenë gjallë dhe bien nën makthin e krizës së panikut.

Duke qenë se ekipi shqiptar i operacionit nuk kishte as eksperiencën e duhur dhe as mjetet e duhura, u desh të vinte ekipi i specializuar grek që të ndërhynte. Ai është nxjerrë i sigurte nga rrënojat në orën 01:00 të mëngjesit të datës 27 nëntor. Plot 21 orë pas tërmetit shkatërrimtar.

Klajdi teksa uron të gjithë që kurrë mos të përjetojnë një ndjesi të tillë, i bën thirrje njerëzve të mos e humbasin kurrë kurajën sepse asnjëherë nuk i dihet si do shkojë jeta juaj:

"Ajo më bëri dhe mua të jem sot këtu, sepse 21 orë nuk do ia dilja po mos të kisha kurajë."

Të fundit