Flash News

KRYESORE

Klodiana Lala nuk është e vetmja, gazetarët që u kërcënuan me jetë për shkak të detyrës

Klodiana Lala nuk është e vetmja, gazetarët që u

Gazetarja investigative Klodiana Lala u kërcënuar me jetë gjatë natës në shtëpinë e prindërve të saj. Në drejtim të banesës u gjuajt me breshëri plumbash.

Lala nuk është gazetarja e vetme e cila është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Politiko.al sjell rastet e disa gazetarëve të cilët, për shkak të çështjeve që kanë ndjekur dhe denoncuar,  janë kërcënuar me jetë.

Telnis Skuqi

Telnis Skuqi  është gazetari i cili në 2014-n u kërcënua me jetë nga burri i nëndrejtoreshës së Spitalit të Tepelenës. Skuqi, korespondent i gazetës “RD”  u kërcënua me jetë pas publikimit të shkrimit investigativ të botuar  në gazetën “RD”, me titull “Nepotizmi, emërimet e deputetit të PS, Kamberi”. Gazetari u kërcënuar në celularin e tij nga Ilir Selimi, bashkëshorti i vajzës së ish-deputetit të PS, Dashamir Kamberi. “Ti ke përmendur emrin e bashkëshortes time në shkrimin që ke botuar. Unë do të nisem nga Tepelen dhe do të të zhduk”, kërcënoi nëpërmjet celularit dhëndrri i Kamberrit.

Artur Çani

Në dhjetor të 2014-s gazetari Artur Çani u kërcënua me armë në afërsi të banesës së tij në kryeqytet. Asokohe, në deklaratën e tij gazetari qe shprehur se personat i kishin zënë pritë, ndërsa ishin të maskuar. Sipas tij, njëri ka tentuar ta qëllojë, por arma nuk ka funksionuar në atë moment.

Albana Xharra

Gazetarja nga Kosova, Albana Xharra u dhunua barbarisht në Prishtinë pasi u kthye nga një emision televiziv në Tiranë në maj të 2017-s. Xharra dyshohet se u sulmua nga militantët e partisë Vetëvendosje, të cilët nuk kanë kursyer edhe fyerjet verbale ndaj saj.

Edhe në qershor të 2018-s, Xharra ka marrë një sërë kërcënimesh me “plumb në kokë” nga elementë të islamit radikal. Kërcënimin me plumb e mori pas një shkrimi të fundit të saj rreth ‘Erdoganizmit në Maqedoni’.

Berat Buzhala

Rreth një vit më parë gazetari Berat Buzhala u kërcënua me vrasje nga një person i quajtur Fitimi Boshnjaku. Në mesazhet kërcënuese dërguar në Messenger, Boshnjaku i ka kërkuar Buzhalës mos ta përmend Shpend Ahmetin sepse është në gjendje ta vrasë nëse e bënë këtë.

Artan Hoxha

Në mars të 2015-s gazetari investigativ Artan Hoxha u kërcënua me jetë pas deklaratave të tij për laboratorin e drogës në Xibrakë.  Në mesazhin kërcënues drejtuar Hoxhës shkruhej, “Këtë sms që po të dërgojmë lexoje me vëmendje! Po i fut hundët aty ku nuk duhet ti fusësh, si fillim do qash për djalin tat, pastaj do jetë radha jote. Dhe shif meru me diçka tjetër dhe jo me Xibrakën deri sa të vijë radha ty”.

Rudina Xhunga

Gazetarja Rudina Xhunga vetëm pak javë më parë u kërcënua me jetë nga biznesmeni Enver Mehmeti pas një shkrimi në Dritare.net për “ferrin e pushimeve, prenotuar te agjencia tij”.

Flori Slatina

Gazetari i gazetës “55”, Flori Slatina është kërcënuar me jetë nga persona të panjohur në korrik të këtij viti pas botimit të disa shkrimeve kritikë ndaj qeverisë në gazetën ku ai punon prej më shumë se 20 vitesh.

Pas publikimit në gazetë të disa shkrimeve për korrupsionin në Ministrinë e Kulturës, gazetari është kërcënuar me jetë nëpërmjet telefonit.

Veç tyre dhe të tjerë gazetarë janë kërcënuar e dhunuar; si Elvi Fundo, i cili u rrah në mes të Tiranësë nga persona të maskuar, Bledi Kasmi që u dhunua gjatë protestës; e gazetari Mero Baze. /Politiko.al/

Të fundit