Flash News

KRYESORE

Koha kur 'I huaji' i Kamysë, dalë nga biblioteka e Mehmet Shehut, lexohej ilegalisht

Koha kur 'I huaji' i Kamysë, dalë nga biblioteka e Mehmet

ÇFARE PO LEXON  YLLJET ALIÇKA?

 

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Kam një grup librash në gjuhën frënge botuar para lufte, bie fjala Alfons Dode, Famullia e vogël,  botim i vitit 1923, proza nga Francis Bekon, Xhon Milton etj. Nuk i ruaj për ndonjë hobi prej koleksionisti, por gjenden në bibliotekën time pasi m’i fali fqinji gjatë viteve që kam banuar në Francë. Ende nuk jam i sigurt nëse m’i dha në kuadrin e “politikës së fqinjësisë së mirë” apo se risistemoi bibliotekën e vet dhe i dolën tepër.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Natyrisht që jo, dhe druaj se do vdes pa i lexuar, sepse dalin gjithnjë e më shumë libra të rinj dhe, së dyti, nuk është se jam shumë sistematik në lexim.

-Libri i parë që keni lexuar…

S’jam i sigurt, Liza në botën e çudirave apo Aventurat e baronit Mynhauzen.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk e kam marrë ndonjëherë këtë pozicion prozaik, pra t’ia heq bukës së gojës për të blerë një libër. Pasi, sadoqë nuk kam qenë i pasur, por jo dhe aq i varfër sa për të kursyer para për të blerë libra.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Me shokët edhe në gjimnaz, edhe në universitet. Më kujtohet se një version italisht i I huaji të Kamysë, dalë nga biblioteka e Mehmet Shehut, i shpërndarë dorë më dorë nga i biri, Bashkim Shehu, u lexua nga 6 vetë brenda 24 orësh.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Sot jo, më parë po. Madje përpiqeshim kush e kush të lidhte miqësi me ndonjë prej punonjëseve të bibliotekës për të tërhequr libra të ndaluar. Natyrisht që shanset shumëfishoheshin sa herë që dikush nga ne ndodhte që ta kapërcente statusin e marrëdhënieve miqësore…

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Profesor Skënder Luarasit, me të cilin babai kishte miqësi dhe më çoi për të mësuar anglisht. Në vazhdën e mësimeve dy herë në javë, një ditë ai më dha një vëllim me poezi të Witmanit. Dhe nuk është se nuk ia mbajta me ndërgjegje, por gjatë kohës që unë punoja me librin, ai ndërroi jetë dhe unë nuk ia ktheva më familjes.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Mendoj se po, por nuk ndjej ndonjë peng të madh, pasi jo vetëm nuk jam ndonjë koleksionues i rregullt, por kam bindjen se nuk do më mbetet aq shumë kohë apo pasion për t'ju kthyer rileximit të tyre.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

Shumë, madje sa më të ndaluar të ishin, aq më e lartë ishte etja dhe shija për t’i lexuar. Qarkullonin mes miqsh, kunetërish, shoqeve….

Tituj? Sipas rrethanave, si të qëllonte libri, mjaft të ishte i ndaluar: Imorali i André Zhidit, Triumfi i vdekjes i Gabriele D’Annunzios, Neveria e Zhan Pol Sartrit, Shtatë të varurit të Leonid Andrejev….

Gjatë viteve studentore zura miqësi me vajzën e një shkrimtari të njohur të kohës, (me të cilën më vonë dhe u martova), e cila më furnizonte me libra të ndaluar nga biblioteka e të atit. Kam lexuar për vite me radhë dhe me shumë padurim një trimujore letrare europiane, Europa letteraria me kryeredaktor Gian Carlo Vigorellin: një pus i vërtetë vlerash.

Më vonë kam marrë vesh se regjimi në fjalë paskësh përgatitur dhe një listë me hierarkinë (kokëposhtë) të autorëve dhe librave  të ndaluar. Pra, në varësi të librit apo autorit të ndaluar që mund të të proftasnin duke lexuar apo komentuar, përcaktohej dhe ndëshkimi me motivacionin «propagandë të kulturës dekadente». Në krye të kësaj liste të zezë qëndronte Bibla, ndjekur paradoksalisht nga majtisti Zhan Pol Sartër, (po ta merrte vesh Sartri do rrotullohej në varr..), Xhojsi, Kafka, Jonesko….

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

I zgjedh vetë, por  e vlerësoj dhe dhurimin, sadoqë shpesh ndodhesh në pozitë të vështirë, sa herë që nuk ja ke lexuar ende librin e autorit dhurues.E kam provuar në kurriz: më ndodh që pasi kam nxjerrë ndonjë libër, dhe miq më thonë: s’na dhe një libër. Ti ja jep, dhe më pas rrezikon t’a humbasësh si mik sepse saherë qëtë rastis të kryqëzohesh me të, ai ndërron rrugë. Unë e kuptoj se ai s’ka lexuar librin. Atëherë, përpiqem t’a çliroj duke i thërritur nga larg: E di që s’e ke lexuar, por kthehu …. !

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Shtriqur…dhe veçanërisht në udhëtim.

-A lexoni në banjë?

Jo.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Ato «klasiket» të brezit tim.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

Portret grupi me një zonjë të Hajnrish Bël dhe po më pëlqen shumë, ashtu si çdo libër i këtij autori.

-Mbani shënime kur lexoni?

Po.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Kryesisht proza, por kohët e fundit po më ringjallet dhe shija e poezisë. Natyrisht prirem që një autori të preferuar t’ia lexoj krejt veprën.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Novelat e Çehovit, Mopasanit, Sarojanit, Romanet e Saramagos, Bëlit, Perandorin e Kapuçinskit, Koncertin e Kadaresë, Oqeani det i Alessandro Barriko ….

Theksoj se kjo është listë tepër subjektive, pasi siç ju thashë, më mbetet ende shumë “letërsi e madhe” pa lexuar.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Ndofta Ringjallja e Tolstoit.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Zonja Bovari e Floberit, Vëllezërit Karamazov e Dostojevskit, 100 vjet vetmi e Markesit.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Nuk më vjen ndër mend ndonjë maksimë, por gjithnjë e më shumë bindem se ndër gjërat që  mendoj se na motivojnë në jetë janë shija e leximit, krijimi në kuptimin e gjerë të fjalës, vera, sporti dhe diçka tjetër që s’po ja kujtoj dot emrin në këtë çast…

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Turbull më vijnë ndër mend nja dy vargje të Lermontovit, të një poezie me titull “Kupa e jetës”

Me sy të mbyllur ngremë dolli

Nga kup’ e jetës plot

Dhe gjithsaherë pimë, ndër sy

Na rrjedh një pikë lot.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Bazarovi tek Etër e bij i Turgenievit, Rikardo Reis i Saramagos, Dino Çiço i Kadaresë…

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Ylljetit, shumë miqësisht, nga Ismail Kadaré në faqen e parë të librit-ese Mosmarrëveshja. Ndofta po të qëllojë sot të kujtohet për shtojcën “shumë”,  ai dhe mund të pendohet,veçse ajo që ish për t’u bërë, u bë…

 

 

 

Të fundit