Flash News

KRYESORE

Koha nuk pret, LSI presion PD-së: Marrëveshje për koalicionin opozitar ose hyjmë të vetëm në zgjedhjet lokale

Koha nuk pret, LSI presion PD-së: Marrëveshje për koalicionin

Lëvizja Socialiste për Integrim është duke shtuar presionin ndaj Partisë Demokratike për zyrtarizimin e një koalicioni opozitar. Dy partitë e opozitës kanë formuar një front të përbashkët, por ende nuk kanë nënshkruar një marrëveshje për koalicionin.

Së fundmi, ka qenë deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, që ka deklaruar se është momenti i rëndësishëm që partia e tij dhe PD të shkojnë në një marrëveshje të përbashkët opozitare.

I ftuar në studion e lajmeve të ‘Ora News’, Spahiu deklaroi se pritet që të shkohet drejt formalizimit të marrëveshjes, por theksoi se kjo duhet të jetë transparente dhe afatgjatë. 

“LSI është parti opozitare, ka pasur mjaft zhvillime të përbashkëta me PD. Kulmoi me protestën e 27 janarit. Një bashkëpunim politik mes PD dhe LSI kërkon që të ketë atë alkimin e vet, sidomos sa i takon programeve. Them që afrohemi bashkë në programin ekonomik, pra kemi të njëjtat shqetësime. Besoj fort që fronti opozitar do kalojë në një marrëdhënie politike mes palësh”, ka thënë Spahiu.

I pyetur nëse po diskutohet një marrëveshje e tillë, Spahiu tha se nuk ka diskutime për formalizimin, por do shkohet drejt saj.

“Nuk ka diskutime për formalizmin e saj, them do shkohet drejt saj. Jam për një marrëveshje transparente, të thënë dhe afatgjate  dhe që shqiptarët ta kuptojnë kush është opozita dhe kush është pozita dhe ku do shkojmë në afatmesëm dhe afatgjatë”, ka thënë deputeti.

Përparim Spahiu mohoi pretendimet për një flirt midis LSI dhe PS, që sipas tij, janë skema të përdorura nga socialistët. Ai theksoi se tani është momenti për formalizimin e marrëveshjes LSI-PD, ose në të kundërt, partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi duhet të fokusohet për të kandiduar e vetme në zgjedhjet lokale.

“Besoj se është moment mjaft i rëndësishëm që të shkohet në këtë marrëveshje, ose nëse s'ka marrëveshje ne të fokusohemi që LSI do kandidojë e vetme përsëri dhe besoj se jemi pak vonë për organizimin e zgjedhjeve të 2019”, ka deklaruar Spahiu.

Të fundit