Flash News

KRYESORE

Kokëdhima-Bashës: ZGJIDHJA ka tri kushte që të bashkohet me PD në frontin opozitar

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima në një deklaratë publike shprehet se partia e tij ka tri kushte për Bashën që t’i bashkohet PD-së.

Kokëdhima tha se PD duhet të distancohet nga krimet e së shkuarës, duhet të tërhiqet nga marrëveshjet me qeverinë dhe kur sovraniteti politik t’iu merret kryetarëve të partive dhe t’i dhurohet popullit shqiptar. Sipas tij me plotësimin e këtyre tri kushteve, ZGJIDHJA do të bëjë opozitë të fortë  kundër qeverisë kriminale të Ramës, për të luftuar drogën, krimin dhe korrupsionin.

Pjesë nga deklarata e Kokëdhimës;

ZGJIDHJA ka tri kushte për t’u bashkuar me Partinë Demokratike në një front të gjerë opozitar kundër qeverisë së krimit, drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës:

1) PD të distancohet qartazi dhe haptazi nga të gjitha aktet e saj antikombëtare dhe antipopullore të kryera në të shkuarën e afërt kur qeverisi Shqipërinë.

2) PD të distancohet prerazi dhe përfundimisht nga çdo marrëveshje e fshehtë dhe pazar me Edi Ramën për të mbajtur peng zgjedhjet dhe për të mos lejuar demokratizimin e tyre. PD ta kushtëzojë pjesëmarrjen në parlament vetëm me kryerjen urgjente të reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila duhet t’i çlirojë përfundimisht zgjedhjet shqiptare nga komisionerët e PD-së dhe të PS-së, të garantojë votim dhe numërim elektronik në qendrat e votimit dhe të gjitha standardet europiane të zgjedhjeve të lira. I vetmi vend në botë ku zgjedhjet administrohen nga dy parti dhe jo nga shteti, është Shqipëria. Reformën zgjedhore duhet ta udhëheqë prezenca e OSBE-së në Tiranë.

3) Qeverisja e mirë e Shqipërisë do të fillojë kur sovraniteti politik t’u merret kryetarëve të partive të vjetra dhe t’u kthehet qytetarëve të zakonshëm dhe taksapaguesve shqiptarë. PD të deklarohet sinqerisht në mbështetje të projektit të ZGJIDHJA-s për demokratizimin e qeverisjes dhe të shoqërisë shqiptare.

Pa plotësuar këto tri kushte, nuk do ketë bashkëpunim me partitë e vjetra. Ne do t’i luftojmë deri në fund ato si armiq të lirisë dhe të së drejtës legjitime të popullit tonë për të ndërtuar mirëqënien dhe jetën e merituar.

Të fundit