Flash News

KRYESORE

Komisioneri i BE: Tri propozime të reja për negociatat; Një mesazh edhe për opozitën në Shqipëri

Komisioneri i BE: Tri propozime të reja për negociatat; Një

Komisioneri për Zgjerim i BE, Oliver Varhelyi deklaron se komisioni do të ketë propozime të reja në tre drejtime sa i takon procesit të negociatave me Shqipërinë.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Varhelyi tha se Shqipëria konsiderohet një shtet gati për të çelur negociatat me BE.

“Kjo është ndalesa ime e dytë, jam këtu për të përforcuar mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe për të theksuar natyrën politike të komisionit të ri.

Zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë tonë këtu, të kemi më shumë ndikim. Dëshirojmë të jemi partner edhe më i rëndësishëm për rajonin dhe për këtë do punoj fort bashkë me ju që kjo gjë të bëhet realitet.

Për ne raporti i mëparshëm i KE vazhdon të jetë i vlefshëm për Shqipërinë, e konsiderojmë shtet gati për të çelur negociatat me BE, do punojmë fort para samitit të Zagrebit.

Komisioni do ketë propozime të reja në tre drejtime:

E para: metodologji e re lidhur me trajtimin e negociatave për anëtarësimin. Fakti që nuk u hapën negociatat pati të bëjë me shqetësime nga disa shtete anëtare dhe duhet ta shikojmë këtë gjë më vëmendje. Po punojmë edhe me shtete anëtare që të gjejmë një zgjidhje që do krijojë një mundësi të re për të ecur para me zgjerimin. Të krijojmë një qasje të re që do bazohet në 4 parime bazë, pra procesi të jetë i besueshëm, më politik, më i parashikueshëm dhe për mua është përparësi edhe më dinamik.

E dyta, të kemi mundësinë të nisim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit të Zagrebit në mars. Po punojmë me kryeministrin dhe shtetet anëtare.

E treta samiti i Zagrebit. Shpresojmë se do tregojmë një plan të zhvillimit ekonomik të rajonit që të shpejtohet ndërtimi i ekonomisë që të jetë më efikas, e vendet të jenë më pranë standardeve”, tha zyrtari i BE, i cili tha se për këtë duhet të bashkëpunojnë më shumë të gjitha partitë politike në vend.

“Sot kryeministri foli për një element të ri, është domosdoshmëri që të vazhdohet me reformat, por pasi të çelen negociatat do jenë të nevojshme reforma edhe më dinamike në bazë të kësaj metodologjie.

Duhet që të gjitha partitë politike të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet, se pa mbështetjen e tyre në politike nuk do jetë e mundur të ketë ecuri. Do flas edhe me opozitën që të na ndihmojë që ta bëjë sukses këtë çështje.

Po ashtu, mirëpres përparimin e reformën në drejtësi, mendoj se vettingu ka treguar vendosmërinë për të zbatuar këtë reformë.

Mirëpres edhe marrëveshjen për reformën zgjedhore, është ogur i rëndësishëm kilometrik.

Janë lajme të mira, por ka ende sfida përpara, duhet të bëhet më shumë për krimin e organizuar, korrupsionin, të sigurohemi për një shtet të përmirësuar të së drejtës.

Kam një lajm të mirë, duke patur parasysh punën e mirë të bërë nga Shqipëria, nga fondet e paraaderimit japim 28 mln euro shpërblim për punën e bërë. Propozimin e kemi çuar në parlamenti evropian “, tha Varhelyi .

Të fundit