Flash News

KRYESORE

Komisioni për implikimin e policisë, Edi Paloka kërkon shtyrje të afateve: Ministria nuk ka kthyer asnjë përgjigje

Komisioni për implikimin e policisë, Edi Paloka kërkon shtyrje

Në Konferencën e Kryetarëve, Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, ka kërkuar shtyrjen e mëtejshme të afatit të komisionit hetimor për implikimin e strukturave të policisë në trafikun e drogës.

Paloka denoncoi problemet me të cilat po përballet komisioni hetimor për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e institucioneve shtetërore. Ai flet për kërkesat e disa institucioneve shtetërore për të shtyrë afatin për kthimin e përgjigjeve lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga komisioni, afate që gjithsesi ishin absurde qysh në fillim.

“Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë në krye të institucioneve që refuzojnë të kthejnë përgjigje lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga komisioni hetimor dhe në disa raste, kërkesave tona u përgjigjen me kërkesa për shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit. Disa herë gjatë 2018-s kemi marrë kërkesa për shtyrje afatesh për dokumentacion, me alibinë se kërkohet një volum i madh pune, por s’kemi marrë asgjë nga dokumentacioni i kërkuar”, është shprehur deputeti demokrat.

Për të gjitha këtë problematikë, vijoi më tej kryetari i komisionit hetimor parlamentar, unë kam kërkuar që ju t’i ktheni dinjitetin e duhur Parlamentit dhe të ndaloni më tej vijimin e këtij bllokimi anti-kushtetuese.

“Opozita, të vetmen mundësi që ka janë Parlamenti, komisionet hetimore, por nëqoftëse këto instrumente bllokohen, sepse dihet historia e komisioneve hetimore dhe e marifeteve tuaja me ndryshimin e objekteve hetimore, atëhere s’mbetet veçse shtyrja në kohë e të gjitha afateve hetimore. Siç e dini, të gjitha aspektet procedurale dhe ligjore për marrjen në shqyrtim të dokumentacionit janë kaluar. Për ne është e qartë se gjithçka bëhet për të penguar hetimin, thjesht se gjithë kupola e kësaj mazhorance ka qenë e implikuar, nga kryeministri deri tek ministrat e brendshëm, familjarë të ministrave të brendshëm, përfshirë edhe Xhafën, kanë qenë pjesë e të implikuarve në trafikun e drogës, dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të bllokuar hetimin. Në këto kushte, unë kërkoj edhe njëherë shtyrjen e afatit të komisionit dhe ju drejtohem ju zoti kryetar që t’u bëni apel institucioneve që të zbatojnë kushtetutën dhe t’u përgjigjen kërkesave të komisionit tonë hetimor”, ka deklaruar Paloka.

Të fundit