Flash News

KRYESORE

Konflikti te Histori-Filologjia, Mark Marku: Valentina Duka dhe Shezai Rrokaj nuk mund të përcaktojnë dekanin; ndërhyrje nga kasta mafioze e universitetit

Konflikti te Histori-Filologjia, Mark Marku: Valentina Duka dhe Shezai Rrokaj

Në ambientet e Fakutetit Histori-Filologji, disa ditë pas votimit për dekan, vazhdojnë ende tensionet nga pedagogë dhe vëzhgues të komisionit, të cilët kanë versione të ndryshme për vendimet që nxorën fituesin. Pedagogu Mark Marku ka rrëfyer për gazetën “Shekulli” versionin e tij, se si u bë procesi zgjedhor dhe thekson se ka pasur manipulim të votave nga komisioni. Gjithashtu ai tha, se këto presione kanë qenë nga forca të jashtme, që duan të mbajnë status quon-ë e universitetit dhe të kenë ndikim mbi përzgjedhjen e kandidatëve.

Z.Marku, si fillim duam te dimë sesi shkoi procesi i votimit, ndarja e qendrave të votimit dhe sa peshë kishte secila?

Fakti që u zgjodhën këta kandidatë është sepse në fakultet vetëshpallen me vullnetin e lirë. Kandidatët bëjnë fushatën e tyre, janë institucionet, komisioni zgjedhor i fakultetit dhe komisioni institucional i zgjedhjeve që është KiZ-i, që garantojnë standartet zgjedhore. Të dyja këto institucione u verifikua, që jo vetëm nuk garantojnë standartet, por shkelin ligjet. Janë të provuara praktikisht këto shkelje ligjore.

Ku janë shkeljet e ligjit?

E para: KiZ-i i ka hequr të drejtën një personeli me kohë të plotë që të votojë në zgjedhje, gjë që ligji e ka saktësisht të qartë, se kush voton dhe kush nuk voton. Voton gjithë personeli në fakultet, përjashton nga e drejta e votimit  vetëm ata që kanë dalë në pension dhe që janë me kontratë. Pra, ligji nuk krijon asnjë mundësi për interpretim. KiZ-i, me vetëdije, duke e njohur shumë mirë rregulloren e ka përjashtuar këtë kandidat. Kjo është shkelja e parë dhe është një fakt i provuar, se nuk do flisja pasi edhe unë mbaj përgjegjësi. Rasti i dytë, mendoj që ishte edhe më flagrant, ka të bëjë me ndërhyrjen e KIZ-it në rastin e votimit të studentëve. Dy përfaqësues të KIZ-it erdhën dhe kërcënuan studentët për të votuar, morën rolin e policit dhe filluan ‘ti kontrollonin. E para, ata ishin studentë që po prisnin aty dhe nuk po futeshin në kutitë e votimit pa radhë, ndërsa këta përfaqësues të KIZ-it u angazhuan me kërcënime ndaj studentëve. Kjo është e verifikuar dhe janë mbi 200 studentë dëshmitarë.

Kë përkrahte KIZ-i, sipas jush?

KIZ-i mendoj se përkrahte ruajtjen e gjendjes aktuale në fakultet, strukturat e vjetra që kanë drejtuar fakultetin dhe që janë një kastë, do të thoja dhe mafioze, të cilët e mendojnë fakultetin si pronë të tyre, nëpërmjet presioneve dhe favoreve kërkojnë të manipulojnë votën universitare. Të njëjtën gjë donin të bënin edhe në fakultetin tonë.

Në këtë garë ishin dy kandidatë, konkretisht znj.Aljula Jubani, e departamentit të letërsisë dhe z.Sabri Laçi, i departamentit të gjeografisë. Ju po flisni për favore dhe manipulim nga KIZ-i,  por cilin kandidat përkrahte konkretisht sipas jush?

Ah, e gjitha ishte në favor të kandidates kundërshtare të Sabri Laçit. Pra, ka pasur shumë shkelje ky proces zgjedhor, por unë po them shkeljet më flagrante të ligjit. Mbas votimit u verifikua se shkelja më e rëndë që ka ndodhur, një fenomen që ka ndodh edhe herë të tjera, por këtu u zbulua, pasi qendrat e votimit ishin ndarë; Qendra votimi të pedagogëve dhe të studentëve. U verifikua se një pedagogu i ishte vënë për votim një fletë votimi studenti. Kjo është bërë qëllimisht për të manipuluar rezultatin, sepse vota ishte për Sabri Laçin, domethënë ata kanë gjetur një kandidat si mbështetës të tij dhe i kanë dhënë votën për ta zhvlerësuar atë. Një pedagogu as që i shkon në mendje se kolegët e vet, anëtare të komisionit mund të jenë aq manipulues dhe aq pa dinjitet moral, sa t’i japin një fletë studenti për të zhvlerësuar votën.

Ka zëra që thonë se z.Laç i është me partinë Socialiste dhe konkurrentja znj.Jubani është me Partinë Demokratike. A është ky një konstatim që të shtyn të mendosh për përkrahje nga forcat politike?

Ka vetëm një fakt që kandidatja e tjetër, znj.Aljuja është e përfshirë në strukturat e PD-së në komisionin e arsimit. Mua nuk më intereson fare se më kë parti janë, pasi çdo pedagog ka bindjet e veta politike.

Pse mendoni se ka qenë më e favorizuar kandidatja znj.Aljula Jubani?

Unë e di që ajo është mbështetur nga Velentina Duka, që sot është deputete e PD-së. I vetmi problem etik që kemi në si pedagogë është se, as Valentina Duka, as Shezai Rrokaj nuk mund të përcaktojnë nga jashtë dekanin e fakultetit. Këtë mund ta them etikisht, pasi nuk është normale që 85 pedagogëve t’u përcaktohet nga jashtë pasardhësi, nuk është e drejta feudale në universitet. Ne kemi dashur ti japim fund të drejtës feudale të përcaktimit të kandidateve sipas klaneve, grupeve te cilët e dominojnë universitetin. E vetmja beteje është këtu, pastaj politikisht të gjithë janë të shpërndarë, dikush me PD-në, dikush PS-në. Kemi një etikë kolegësh, ku secili ka bindjet e veta.

Pse ka pasur kaq shumë polemika dhe tensione në këto zgjedhje?

Unë mendoj se ajo kasa mafioze e universitetit, mafia e tenderëve e kanë bërë dhe herë të tjera. Problemi është shpërndarë nëpër universitete, por këtu vëmendja ka qenë shumë e përqendruar dhe fakulteti jonë është i vogël, ka personalitete të jetës publike dhe këtu ka shpërthyer sistemi i manipulimit. Unë mendoj se është arritur një fitore jo vetëm sepse ka fituar dikush, se mund ta arrinte kushdo nga kolegët tanë, por është testuar se këtu strukturat zgjedhore janë struktura manipulimi, që vota e pedagogeve është manipuluar jo vetëm këtu, por në të gjitha zgjedhjet e tjera nëpër fakultete dhe këtu ka qenë vëmendja më e përqendruar.

Të fundit