Flash News

KRYESORE

Konstitucionalisti tregon pse mandatet e deputetëve të opozitës nuk konsiderohen ende të djegura

Konstitucionalisti tregon pse mandatet e deputetëve të opozitës

Mandatet e deputetëve të opozitës nuk janë ende ligjërisht të dorëzuara. Kështu u shpreh konstitucionalisti Kristaq Kume gjatë emisionit ‘Byro Politike’ në Abc News. Sipas Kumes, mandatet dorëzohen vetëm me mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.

“Ju, sipas ligjit, duhet të shkoni te Këshilli i Mandateve. Ju jeni i detyruar të shkoni atje”, iu drejtua Kume Fatmir Mediut, kryetar i Partisë Republikane.

Por sipas Mediut, ky ngërç nuk i takon opozitës sepse nuk ka ajo për detyrë të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Në vend që të mblidhet këshilli i mandateve dhe të bëjnë procedurën, i kanë dorëzuar kërkesat në KQZ. Nuk kemi të bëjmë me veprime jo ligjore të opozitës”, tha Mediu.

I pranishëm në studio, Arben Ristani, përfaqësues i Partisë Demokratike, foli për një tjetër ngërç të krijuar nga kjo situatë dhe që lidhet me mungesën e numrit të nevojshëm për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Ka një handikap se Këshilli i Mandateve nuk ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur, por ata as nuk janë përpjekur të organizojnë mbledhjen”, tha Ristani.

Ndërkohë, sipas ish-ministrit Arben Malaj, përfaqësuesit e opozitës “politikisht nuk e kanë mandatin, por ligjërisht ato nuk kanë rënë akoma”.

Të fundit