Flash News

KRYESORE

Koronavirus ‘bashkon’ Metën me mazhorancën, takimi me Manasterliu në Presidencë

Koronavirus ‘bashkon’ Metën me mazhorancën, takimi me

Situata e vështirë që pritet të përballojë vendi në luftën me koronavirusin e ri, COVID-19, duket se ka ulur për momentin gjakrat shumë të ndezura të javës së kakluar mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe mazhorancës.

Meta ka njoftuar sot përmes një postimi në rrjetet sociale se me kërkesë të tij ka zhvilluar një takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të ekipit të Task-Force të angazhuar për përballimin e pandemisë së koronavirusit.

Presidenti thotë se jo vetëm i shprehu solidaritetin dhe përkrahjen, por gjithashtu ngriti disa shqetësime me qëllim sipas tij përmirësimin e mëtejshëm të reagimit institucional.

“Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore. U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falenderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Nënvizova rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta”, shkruan Presidenti i Republikës në Facebook.

Meta nënvizon gjithashtu se i theksoi znj. Manasterliu se “shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë”.

  • “I ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë. SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook.

Të fundit