Flash News

KRYESORE

‘Kosova në Shengenin Ballkanik?’/ Kurti: Është akoma një ide, duhen më shumë ura me Shqipërinë

‘Kosova në Shengenin Ballkanik?’/ Kurti: Është akoma

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka treguar për gazetarët detaje nga takimi pesë orësh me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se kishin kohë pa u parë dhe kishte një mori diskutimesh për të bërë me kryeministrin e Shqipërisë pas fitores në zgjedhje.

Kurti e vuri theksin tek bashkëpunimi mes dy vendeve në rrafshin politik dhe ekonomik, duke shtuar se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk është shfrytëzuar sa duhet.

“Kishte shumë kohë pa u parë, diku rreth 14 muaj. Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si kryeministri i ri dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me kryeministrin e Shqipërisë.

Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet.

Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria dhe Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, e më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, deklaroi Kurti.

Pyetjes së gazetarëve në lidhje me bashkimin e Kosovës në të ashtuquajturin ‘Shengeni Ballkanik’, kreu i Vetëvendosje-s tha se i duhet ta shohë më parë projektin në letër, pasi momentalisht është vetëm në nivel ideje.

“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse ai më ngjan më shumë me ide se sa projekte. Pra, dua ta shoh projektin në letër. Tani për tani është në nivel idesh. Ne kemi diskutuar për çështje dhe tema që do të bashkëpunojmë. Organigramat e qeverive vijnë më pas. Pra, njëherë është substanca dhe më pastaj edhe forma që duhet të marrë”, tha Kurti.

Të fundit