Flash News

KRYESORE

Kosova shteti i parë në Europë që njeh Guaidon president të Venezuelës, Turqia i jep mbështetje Maduros

Kosova shteti i parë në Europë që njeh Guaidon president

Përpjekja për ndryshimin e regjimit në Venezuelë po ndiqet më vëmendje në të gjithë botën, ndërkohë që disa shtete janë pozicionuar në krah të kujt prej presidentëve qëndrojnë.

(Fundi i Nicolas Maduro? SHBA dhe Brazili njohin Juan Guaido president të ri të Venezuelës)

Kosova është shteti i parë në Europë që njofton se njeh Juan Guaido president të Venezuelës, i cili kërkon të zëvendësojë Nicolas Maduron, presidenti ende në detyrë. Nëpërmjet postimeve në ‘Twitter’, ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli, konfirmon vendimin e Prishtinës dhe kërkon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Karakasin.

“Kosova njeh zyrtarisht Juan Guaido si president të përkohshëm të Venezuelës. Në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për Guaidon dhe popullin e Venezuelës: ne ju urojmë më të mirat në rrugën drejt demokracisë dhe do qëndrojmë me ju derisa liria të rikthehet. Me rikthimin e demokracisë në Venezuelë dhe krijimin e autoriteteve të reja që respektojnë sundimin e ligjit dhe dinjitetin e qytetarëve të Venezuelës, Kosova shpreson të vendosë marrëdhënie diplomatike me Venezuelën. Ne do të ndajmë përvojën tonë shtetërore”, shprehet Pacolli.

Venezuela nuk e ka njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Kanadaja, Argjentina Guatemala dhe Kili i janë bashkuar së fundmi vendimit të SHBA-së dhe Brazilit për të njohur Juan Guaido president të Venezuelës. Ndërsa Nicolas Maduro ka marrë mbështetjen e Turqisë, Rusisë, Kubës dhe Bolivisë.

Guaido është aktualisht kryetar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe udhëhoqi protestat opozitare kundër presidentit Maduro. Ai betua së fundmi si president i përkohshëm dhe kërkoi nga ushtria që të mbështesë zgjedhjet e lira në Venezuelë.

Situata ekonomike në shtetin e pasur me naftë është një nga më të këqijat në botë. Inflacioni arriti verën e kaluar gati në 100%, ndërkohë që masat e ndërmarra nga presidenti Maduro nuk kanë dhënë asnjë efekt.

Të fundit