Flash News

Kosova

A do të zhbllokohet sot ngërçi? Deputetët votojnë për kryeparlamentarin pas nëntë dështimesh

A do të zhbllokohet sot ngërçi? Deputetët votojnë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në tentativën e dhjetë për konstituimin e plotë të legjislativit. Procesi ka ngecur pas betimit të deputetëve, për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e vetme e propozuar për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje është Albulena Haxhiu, e cila do të paraqitet për të shtatën herë në garë për t’u votuar. Përveç mbështetjes nga partia e saj, Haxhiu ka marrë edhe përkrahjen e partive të tjera kryesore, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

Deputeti i VV-së dhe ministri në dorëheqje, Hekuran Murati, ka bërë thirrje për miratimin e udhëheqësisë së Kuvendit gjatë seancës së sotme. Ai ka theksuar se zvarritja e mëtejshme nga partitë që nuk po e votojnë konstituimin është bërë tashmë e panevojshme.

“Çfarëdo zvarritje e mëtejshme është e tepruar. Në Kuvend, pushteti ndahet mes të gjitha partive, ndryshe nga qeveria ku pozitat i merr vetëm koalicioni qeverisës. Kushtetuta ka krijuar një balancë duke imponuar një lloj koalicioni konstituiv përpara atij qeverisës,” shkroi Murati në Facebook.

Ai ka sqaruar më tej se, sipas ndarjes kushtetuese, kryetari dhe një nënkryetar i takojnë partisë më të madhe, një nënkryetar partisë së dytë, një tjetër partisë së tretë, dhe dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.

Murati ka përmendur gjithashtu se mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron zgjidhjen ideale për tejkalimin e këtij ngërçi dhe për çuarjen përpara të procesit demokratik të deleguar nga qytetarët.

Nëse Kuvendi arrin të konstituohet sot, kjo do të hapë rrugën për formimin e qeverisë së re dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve.

Të fundit