Flash News

Kosova

A e mbështet Spanja propozimin francez për liberalizimin e vizave të Kosovës?

A e mbështet Spanja propozimin francez për liberalizimin e vizave

Autoritetet në Spanjë nuk e kanë pohuar dhe as mohuar qëndrimin e tyre në lidhje me propozimin e Francës për të lidhur procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Udhëtimit dhe Informacionit (ETIAS).

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës tha për SchengenVisaInfo.com se qëndrimi i shteteve të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës do të specifikohet në takimin e radhës të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të mbahet vonë. Kjo do të ndodhë në Nnëntor ose në fillim të dhjetorit të këtij viti, raporton SchengenVisaInfo.com.

“Tema sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjekë procedurën e saj normale gjatë së cilës do të specifikohen qëndrimet e shteteve të ndryshme anëtare”, theksoi Elena Aljarilla, nga departamenti i shtypit i Ministrisë së Jashtme të Spanjës.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është përfshirë për herë të parë në agjendën e takimit të Grupit Punues të Komisionit Evropian të mbajtur më 13 tetor të këtij viti si temë diskutimi.

Gjatë takimit u raportua se autoritetet franceze shpalosën propozimin që ky proces të lidhet me funksionalizimin e ETIAS dhe se të paktën katër anëtarë të BE-së e mbështetën një ide të tillë: Belgjika, Suedia, Holanda dhe Spanja.

Megjithatë, pretendime të tilla nuk janë konfirmuar nga Spanja, ndërsa departamenti i shtypit i Ministrisë së Jashtme spanjolle theksoi se qëndrimi i vendeve të BE-së do të sqarohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit të Punës.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën filloi më 19 shkurt 2012. Në vitin 2018, Komisioni Evropian vlerësoi se vendi i plotësoi dy kërkesat e fundit që procesi të përfundojë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe një histori të fortë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Që nga viti 2018, Komisioni i Bashkimit Evropian ka kërkuar vazhdimisht që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës; megjithatë, procesi i shumëkërkuar ende nuk është finalizuar.

Të fundit