Flash News

Kosova

Abdixhiku falënderon qytetarët: Rritja e LDK-së e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës

Abdixhiku falënderon qytetarët: Rritja e LDK-së e pamjaftueshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar sot qytetarët që votuan për partinë e tij, si dhe të gjithë ata që punuan gjatë fushatës zgjedhore.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku u shpreh krenar për rrugëtimin e deritanishëm të LDK-së, duke theksuar se rritja e partisë i jep mundësi për një organizim më të mirë të brendshëm. Megjithatë, ai pranoi se kjo rritje nuk është e mjaftueshme për të sjellë ndryshimin e Republikës në këtë fazë, duke shprehur keqardhje për këtë rezultat.

“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjej keqardhje”, shkroi Abdixhiku.

Ai bëri me dije se LDK do të shprehë qëndrimet e saj politike pas numërimit të plotë të votave, duke përfshirë edhe votat nga diaspora.

Ndërkohë, procesi i numërimit të votave po vazhdon, me rezultatet përfundimtare që pritet të shpallen në ditët në vijim.

Të fundit