Flash News

Kosova

Aktakuza ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, reagon Daçiç: Ata që kanë kryer krime, duhet të mbajnë përgjegjësi

Aktakuza ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, reagon

Kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç e ka cilësuar një lajm të mirë që Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë nisur të punojnë.

Reagimi i tij erdhi pasi u pyet nga mediat për aktakuzën e Dhomave të Specializuara për krime lufte kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Daçiç tha se të gjithë ata që kanë kryer krime, duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan rel. 

Ai shtoi se "krimet kundër serbëve në Kosovë nuk janë sanksionuar deri më tani dhe ka një rrugë të gjatë nga aktakuza deri te vendimi duke theksuar nevojën për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Thaçi, Veseli dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, më 5 nëntor, ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë përpara tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Të fundit