Flash News

Kosova

Albin Kurti për ‘Le Monde’: Rusia mund ta zgjerojë luftën në Ballkan, jemi të shqetësuar!

Albin Kurti për ‘Le Monde’: Rusia mund ta zgjerojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen franceze “Le Monde” ka folur në mënyrë të detajuar për shqetësimin e Kosovës sa i përket lidhjeve të forta në mes të Serbisë dhe Rusisë, pas agresionit që Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë.

Kurti tha se fatkeqësisht edhe në Kosovë ka organizata të së djathtës ekstreme serbe që njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë.

Sipas tij, Kosova është e shqetësuar, pasi sipas tij Putin tenton ta zgjerojë luftën e tij edhe përtej Ukrainës.

Pjesë nga intervista:

Pse ju shqetësojnë lidhjet mes rusëve dhe serbëve?

Ata janë shumë më të fortë nga sa e imagjinojnë njerëzit, në të gjitha fushat. Së pari në ekonomi, veçanërisht në energji. Gazprom zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të kapacitetit të depozitimit të gazit.

Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi; dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht. Për sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit. Ekziston edhe kjo shifër marramendëse: 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë (60% e deputetëve) janë pjesë e grupit të miqësisë serbo-ruse. Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon dymbëdhjetë persona.

A i nënshtrohet të njëjtit ndikim edhe minoriteti serb në territorin e Kosovës?

Fatkeqësisht, këtu kemi edhe organizata të së djathtës ekstreme serbe, të cilat kanë vetëm njërën këmbë në Beograd, tjetrën në Moskë. Vërej se Putin e përmendte një herë në muaj "precedentin" e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në 1999], tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm.

A mund të ringjallë lufta në Ukrainë luftën në Kosovë?

Presidenti Putin ka hyrë në një rrugë qorre, me përjashtim të logjikës së më të keqes. Është një formë e vetësabotimit, ai nuk mund të tërhiqet. Natyrisht këtu jemi të shqetësuar, sepse tundimi që ai ta përhapë më tej luftën më duket i qartë. Tre rajone janë në rrezik. Moldavia sepse duke u përpjekur të enklavojnë Ukrainën dhe t'i privojnë asaj hyrjen në Detin e Zi, rusët do të shkojnë nga Krimea në Transnistria nëpërmjet Odessa. E dyta është Gjeorgjia: Osetia e Jugut dhe Abkhazia u aneksuan në vitin 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Të fundit