Flash News

Kosova

Ambasadori finlandez: Kosova ka nevojë urgjente për formimin e institucioneve

Ambasadori finlandez: Kosova ka nevojë urgjente për formimin e

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka theksuar rëndësinë e krijimit të institucioneve funksionale në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh sfidat globale dhe nevojën për të ecur përpara me reformat e brendshme.

Në një intervistë për mediat vendore, ambasadori u shpreh se vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re përbëjnë një shqetësim, veçanërisht në një kohë kur zhvillimet ndërkombëtare janë dinamike dhe kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional.

“Reformat që janë të nevojshme këtu në Kosovë duhet të ecin përpara dhe nuk mund të  presin. Prandaj, sa më shpejt të kemi një Kuvend dhe një qeveri të re, aq më mirë për të gjithë qytetarët,” tha ambasadori Nissinen.

Komentet e tij vijnë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të zgjedhë Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit. Seanca është shtyrë për të hënën në orën 15:00.

Ndërkohë, ambasadori finlandez ka folur edhe për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Finlandës, duke i cilësuar ato si të shkëlqyera dhe të ndërtuara mbi një themel të fortë bashkëpunimi ndër vite.  Ai konfirmoi gjithashtu vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Finlandë javën e ardhshme, e cila sipas tij, do të jetë një moment kyç për të thelluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të diskutuar çështje me rëndësi të lartë si siguria evropiane dhe bashkëpunimi ekonomik.

“Marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera. Janë jashtëzakonisht të ngrohta dhe të thella, dhe datojnë shumë vite më parë. Jam shumë i lumtur që mund të ndërtoj mbi këtë themel të mirë që kemi. Një shembull që e thekson më tej këtë marrëdhënie të shkëlqyer dypalëshe do të jetë në fakt javën e ardhshme, kur presidentja Osmani do të vizitojë Finlandën për një vizitë pune. Kjo është një mundësi tjetër për ne që të thellojmë më tej marrëdhënien dhe të kemi rezultate konkrete nga kjo vizitë. Mendoj se është një mundësi e shkëlqyer, për shembull, për të folur për çështje urgjente të sigurisë evropiane, për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik, dhe si të rrisim tregtinë mes dy vendeve tona.” përfundoi Nissinen

Të fundit