Flash News

Kosova

Arritja e marrëveshjes në Ohër, opozita në Kosovë reagon ndaj Kurtit: Mashtrim, humbje historike

Arritja e marrëveshjes në Ohër, opozita në Kosovë

Arritja e pajtueshmërisë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, ka pasur kritika në Kosovë.

Partia opozitare në këtë vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti.

BE-ja u shpreh se ndonëse nuk është nënshkruar, marrëveshja është arritur mes dy palëve pas një takimi prej më shumë se 10 orësh që ndodhi në datën 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi reagoi në “Facebook”, ku u shpreh se Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë, po ashtu në Facebook, se epilogu i kryeministrit Kurti, si kryeministër në dialog, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.

“Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka thënë ai.

Të dy e kanë përmendur edhe çështjen e njohjes reciproke dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt – pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiq atë ditë – nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Të fundit