Flash News

Kosova

“Asociacioni një detyrim ndërkombëtar”, Escobar: Pres arritjen e marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia këtë vit

“Asociacioni një detyrim ndërkombëtar”, Escobar: Pres

Gabriel Escobar tha se dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihej këtë vit dhe se mendon që kjo gjë është plotësisht e mundur.

Gjatë një konference për mediat në Beograd, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tha gjithashtu se formimi i Asociacionit është më afër se një muaj më parë dhe se është detyrim ndërkombëtar që duhet të zbatohet, pavarësisht a do ketë marrëveshje apo jo.

“Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar, shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta."

"Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj.”

“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë.”

"Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon."

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje.”

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni, po ashtu, mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.

Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.

Të fundit