Flash News

Kosova

“Ballkani i Hapur”, deputeti shqiptar në parlamentin serb: Vuçiç po luan me dy standarde

“Ballkani i Hapur”, deputeti shqiptar në parlamentin serb:

Deputet shqiptar përfaqësuesi i Luginës së Preshevës në parlamentin serb, Shaip Kamberi ka folur nga Shkodra për idenë e “Ballkanit të Hapur”.

Në një prononcim për mediat, Kamberi tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç po mban dy qëndrime që bien në kundërshtim me njëra tjetrën, rolin e paqebërësit në Ballkan dhe nga ana tjetër projektin e “botës serbe”.

Ka dy standarde për qasjen e Serbisë dhe Vuçiç në këtë proces. Vuçiç luan rolin e paqebërësit në rajon duke tentuar të lidhë marrëveshje bilaterale, trilateriale apo multilaterale për të  qenë lider i Ballkanit në ndërtimin e paqes. Në anën tjetër përmes eksponentëve të tij në Beograd, veçanërisht ministrit t policisë që është një antishqiptar i dëshmuar, një fashist, ai nis projektin e “botës serbe”. Duke pasur parasysh faktin se nga kush vjen kjo ide, ajo flet për një botë ku nuk do të kenë vend të tjerët. Këto dy projekte “bota serbe” dhe “Ballkani i Hapur” janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Të mbyllësh kufij për pakicat, për të drejtën e komuniteteve në Serbi për bashkëpunime me shtetet amë dhe të kërkosh hapjen e kufijve për serbët në rajon, sipas meje, janë aspirata territoriale dhe në këtë rast ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjë Hercegovinës, sepse po shihet roli i Dodik në Bosnje për shpartallimin e Bosnjes, situata në Mal të Zi, në veri të Kosovës, në të gjitha këto vende Serbia po luan rolin e destabilizuesit të Ballkanit Perëndimor dhe rrezikshëm po cënon paqen. Kemi kërkuar që në axhendën e Shqipërisë dhe Kosovës të jetë Lugina e Preshevës në kuadër të një programi shtetëror, jo partiak. Program shtetëror që do t’i qaset problematikave për të ndalur së pari shpopullimin e shqiptarëve. Do të ishte paradoksale të kemi një miqësi mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe kjo miqësi të mos reflektohet pozitivisht në të drejtat e shqiptarëve”, tha Kamberi.

Deputeti shtoi se të gjithë janë të vetëdijshëm se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në bashkëpunim, por kjo nuk mund të bëhet nëse përjashtohet pjesa më e madhe e popujve të Ballkanit.

Të fundit