Flash News

Kosova

Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, policia: Kaloi pa incidente

Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, policia: Kaloi pa incidente

Policia e Kosovës njofton se ka zbatuar me sukses planin operacional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të balotazhit 2025, me qëllim sigurimin e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në të gjitha komunat e përfshira, para, gjatë dhe pas votimit.

Sipas komunikatës për media, “vlerësuar nga aspekti i sigurisë, procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”. Policia thekson se angazhimi i efektivëve, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar pozitivisht që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa.

Një prej qëllimeve kryesore të planit policor ka qenë evidentimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj çdo shkelësi të ligjeve që mbrojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Gjatë zbatimit të planit, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka inicuar dy raste penale.

Në Fushë Kosovë, një rast i “Dhënies dhe marrjes së ryshfetit lidhur me votimin” ka çuar në arrestimin e dy personave, ndërsa në Klinë një rast i “Cenimit të fshehtësisë së votimit” ka rezultuar me arrestimin e një personi. Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorëve kompetentë.

Përveç këtyre, janë trajtuar 51 informacione të ndryshme që lidhen me procesin zgjedhor, të cilat nga prokurorët janë vlerësuar se nuk përbëjnë vepra penale dhe janë evidentuar thjesht si informacione.

 

Të fundit