Flash News

Kosova

Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel pa sukses, nuk ka marrëveshje për targat

Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel pa sukses, nuk ka marrëveshje

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit diskutuan në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së për çështjen e targave të automjeteve, por nuk arritën dot marrëveshje. 

Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se në takimin e sotëm nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, shkruan Lajçak.

Kosova dhe Serbia  arritën një marrëveshje të përkohshme të targave më 30 shtator të vitit të shkuar me ndërmjetësimin e BE-së. Marrëveshja e përkohshme pasoi vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës që vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave serbe.

Me këtë masë çdo makinë e Serbisë që hynte në territorin e Kosovës duhet të merrte targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Edhe qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS përgjatë 10 viteve të shkuara  kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Por, masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria e Kosovës për targat nxiti protesta dhe bllokada të rrugëve nga serbët e veriut, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.  

Të fundit