Flash News

Kosova

​Bislimi: Takimi me Petkoviç në Bruksel përfundoi pa rezultat

​Bislimi: Takimi me Petkoviç në Bruksel përfundoi pa rezultat

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi deklaron se ai dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviç nuk kanë arritur dakordësi për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur pas takimit në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropiane, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për normalizimin e marrëdhënieve, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

Bislimi theksoi se “asnjë rezultat” nuk u arrit për këtë.

Zyra e Kryeministrit thotë se në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministria njofton se Bislimi kërkoi garanci për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftim.


Kryeministria njofton se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë edhe dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.

“Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”, përfundon njoftimi.

Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t’u takuar së bashku.

 

Të fundit