Flash News

Kosova

Deputeti i LDK: Grenell na vendosi ultimatum, të rrëzonim Kurtin për 7 ditë

Deputeti i LDK: Grenell na vendosi ultimatum, të rrëzonim Kurtin

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi deklaroi se ish-i dërguari Special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, i kishte dhënë LDK-së 7 ditë afat për të rrëzuar Qeverinë Kurti 1.

“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë, dhe të shkruar shtatë ditë për të rrëzuar Qeverinë, dhe çdo ditë ka ardhur mesazh gjashtë, pesë, katër, tri, dhe ne mezi i kemi nxjerre edhe tri ditë tjera, nga Grenell. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, deklaroi Gashi në Kanal 10.

Gashi tha se asokohe mund të shmangej rrëzimi i qeverisë Kurti, por pasojat që do të pasonin më vonë do të ishin të rrezikshme.

“Mund të shmangej, por rreziqet kanë qenë të mëdha. Nuk mund të krijoj një paralele tani se çfarë do të ndodhte, por sinjalet kanë qenë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne kemi vendosur mbi bazën e informacioneve dhe sinjaleve që kemi pasur, pra të vetëdijshëm për pasojat që mund të kishim”, tha Gashi.

Nga ana tjetër, Gashi deklaron se kanë pasur dy situata në tavolinë, të cilat i shtynin ata të rrëzonin qeverinë e Kurtit dhe së dyti që qeveria të dilte në një konflikt me SHBA-në, duke e nxjerrë atë si fajtore për shkatërrimin e Kosovës.

“Kemi pasur dy situata në tavolinë të cilat i kemi analizuar. Situata e parë ka qenë prej qeverisë, dhe lënia e kryeministrit Kurti në ballafaqimin me situatën, duke i parë të gjitha ato që iu thoshin. Ndoshta nuk kishin ndodh kurrë nuk mundemi me qenë të sigurt 100 përqind, se do të ndodhnin përderisa nuk i kemi provuar, por të gjitha premisat kanë qenë se do të ndodhnin ato që u paralajmëruan, dhe pasojat, dhe problemet që kanë ndodhur me vendet e tjera me situata që kanë qenë me vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jepnin për të besuar se do të ndodhte ajo. Pra të linin qeverinë për t’u përballur  me një konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne të tërhiqeshim në zonën e sigurt dhe të themi ju gabuat, ju e shkatërruat Kosovën, ose të merrnim përsipër rrëzimin e qeverisë me koston që pothuajse është e pamundur për një kohë të shkurtër për të shpjeguar para qytetarëve, duke marr parasysh pandeminë, bllokimin e njerëzve, pamundësinë e komunikimit, dëshpërimin e përgjithshëm dhe shumë faktorë”, u shpreh ai.

 

Të fundit