Flash News


Kosova

Dhunoi të moshuarën në Pejë, zbardhet deklarata e infermieres para policisë: Më sulmoi e para

Dhunoi të moshuarën në Pejë, zbardhet deklarata e

Zbardhet deklarata e infermieres Aurona Pelaj, e cila është filmuar duke ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Gazeta Sinjali ka siguruar detaje nga dëshmia e të dyshuarës kryesore, Aurora Pelajt, pas arrestimit, e cila është shprehur e penduar, duke u arsyetuar se viktimën e sulmoi në vetëmbrojtje. Publikimin e videos ajo e konsideron si të qëllimshëm, për shkak se dje e ka lënë punën në këtë qendër.

Burimet e gazetës kanë bërë të ditur se Pelaj ka deklaruar para hetuesve policorë se në ditën e ngjarjes kishte shkuar t’iu ndihmojë koleget të cilat po merreshin me të moshuarën, pasi sipas saj ajo ka qenë agresive.

Dhunën që ka ushtruar ndaj saj, ajo e ka arsyetuar duke thënë se “ajo më ka sulmuar e para”, teksa ka thënë se viktima ka kaluar atë ditë kriza nervoze dhe ka shkaktuar ‘telashe’ në hapësirat e qendrës.  

 “Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër.“, ka deklaruar ajo, raporton Sinjali.

 “Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”, ka shtuar ajo.

Pamjet që u shpërndanë sot në rrjetet sociale kanë tronditur vendin. Aty shihet se si një nga punonjëset e sulmon gruan e moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.

  

Të fundit