Flash News

Kosova

Dialogu, deputeti i Kosovës: Serbia do dështimin e bisedimeve, me shërbimet e saj sekrete kërkon të destabilizojë Ballkanin

Dialogu, deputeti i Kosovës: Serbia do dështimin e bisedimeve, me

Anëtari i kryesisë së PDK-së dhe deputeti në parlamentin e Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se Serbia është e interesuar në dështimin e bisedimeve me Kosovën dhe nëpërmjet Shërbimeve të saj Sekrete dëshiron të destabilizojë Ballkanin.

Në një intervistë në Balkan Talks në Euronews Albania, Haliti thekson se Serbia ka qëllim që Kosova, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut të mos jenë shtet të stabilizuara, të mos zhvillohen ekonomikisht dhe të mos jenë të integruara në BE.                                                                                                                                                             

 “Serbia është e orientuar që bisedimet të dështojnë dhe që përmes Shërbimeve Sekrete të destabilizojë Kosovën e rajonin. Ajo ka qëllime që Kosova, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut të mos jenë shtet të stabilizuara, të mos zhvillohen ekonomikisht dhe të mos jenë të integruara në BE. Kështu do të veprojnë sipas “orekseve” të atyre, ata që po përpiqen të realizojnë ëndrrat për daljen në ‘ujërat e nxehta’,” tha anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas deputetit Haliti, politika e Kosovës duhet të integrohet në politikat që ndërtohen në Uashington e Bruksel, pasi në këtë mënyrë do vazhdojë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Politika e Kosovës duhet të integrohet në politikat që ndërtohen në Uashington e Bruksel dhe sipas këtyre politikave të ecim bashkë me ta në drejtim të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ne duhet të flasim dhe dëgjojmë atë që dëshiron BE e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të veprojmë sipas interesave të përbashkëta. Ne nuk mund të imponojmë politikën e Kosovës në BE”, shtoi ai.

Kërkesa që ShBA të udhëheqë bisedimet Kosovë-Serbi, për z. Haliti është e gabuar pasi edhe Serbia mund të kërkojë pjesëmarrjen e Rusisë.

Është e gabuar që duam patjetër t’i udhëheqë bisedimet ShBA-ja, se nëse ne kemi këtë kërkesë edhe Serbia do kërkojë Rusinë dhe do ketë probleme të reja. Ambasada Biden ka thënë që mbështesim Evropën në udhëheqjen e bisedimeve dhe mendoj se në politikë kjo mjafton,” tha ai.

Deputeti Xhavit Haliti tha gjatë intervistës se shërbimet e fshehta ushtarake të Serbisë përmes mediumeve në të cilat janë aksionere po krijojnë opinione se UÇK-ja ka pasur lider kriminelë.

“Shërbimet e fshehta ushtarake janë futur në krijimin e opinioneve të caktuara përmes mediumeve në të cilat mund të jenë aksionerë. Qëllimi është që në sytë e qytetarëve të Kosovës, liderët e UÇK-së të dalin si kriminelë lufte, si vrasës të shqiptarëve dhe njerëzve të pafajshëm. Unë s’kam asnjë argument që në UÇK të jenë dhënë urdhra për likuidime politike gjatë e pas luftës. Nga dita kur u nënshkrua marrëveshja për demilitarizim të UÇK-së nuk do të duhej të akuzohej UÇK-ja”, tha  ai.

Pyetur nga gazetari Franko Egro se si do shkojë gjykimi për ish-ushtarët e UÇK-së, ai tha se pret të dalin të pafajshëm.

Ndjesia ime është se nuk e di pse janë të akuzuar dhe ata s’kanë marrë akoma aktakuzat. Pres që të dalin të pafajshëm dhe të ketë arrestime të tjera. Dënimi është në dorën e Gjykatës, po më vjen keq që vazhdon një luftë e ashpër kundër atyre në Hagë dhe kundër figurave qendrore të UÇK-së,”- përfundon z. Haliti.

Të fundit