Flash News

Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, delegacionet pritet të takohen në 6 dhe 7 korrik

Dialogu Kosovë-Serbi, delegacionet pritet të takohen në 6 dhe 7

Javën e ardhshme pritet të zhvillohen takime mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, sa i takon dialogut.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije referuar burimeve në Bruksel se më 6 dhe 7 korrik do të ketë takime të reja në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por jo në nivelin e lartë.

Pas takimit të parë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tani priten takime mes delegacioneve të të dyja shteteve në Bruksel.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Korrespodenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thotë se burimet brenda BE-së nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e këtyre takimeve, por kanë paralajmëruar që në kuadër të tyre do të flitet edhe për marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog dhe për shkallën e zbatimit të tyre.

Po ashtu ky takim do të shfrytëzohet edhe për përgatitjen e një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili pritet të zhvillohet nga fundi i këtij muaji në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takuan për herë të parë më 15 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Të fundit